E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH feston 20-vjetorin e themelimit

Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë feston sot 20-vjetorin e themelimit, përmes një aktiviteti që sapo ka nisur në Pallatin e Kongreseve. 20 vitet e forumit të të rinjve socialistë vijnë në aktivitetin e sotëm përmes fjalës së disa prej atyre që kanë qenë pjesë e FRESSH që në hapat e tij të parë e që tashmë janë shndërruar ndër figurat kryesore të opozitës.

Në një editorial të botuar sot në të gjitha mediat, kreu i PS-së, Edi Rama, shkruan se asnjë organizatë rinore në Shqipëri se ka pasur në këta 20 vjet as historinë dhe as impaktin e FRESSH-it në jetën politike shqiptare. Histori e mbushur me dritë e hije. Si çdo histori e gjatë politike ndoshta, por jo thjesht. FRESSH -i ishte forca që çau perden e hekurt mes Partisë së sapokrijuar Socialiste dhe opinionit të sapozgjuar publik që fundosi regjimin komunist. Një grup të rinjsh, ndër ta edhe pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore, patën kurajën e një imagjinate largpamëse. Dhe zgjodhën me idealizëm apo instinkt politik krahun e kundërt të historisë së atyre fillimeve përmbysëse. U rreshtuan me Partinë e dyshuar Socialiste dhe bënë histori. Takimi i tyre i parë në Pallatin e Kongreseve ishte një erë e re ndryshimi që fryu mbi skenën e transformuar të politikës nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri.

Më tej, Rama ndalet në krahasimin e dy protagonistëve të FRESSH-it, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, për të treguar sipas tij anën e pastër dhe atë të pistë të vetë politikës.

Pandeli Majko, gjendet në këto momente në New York në pritje të një emërimi në rangjet më të larta të Kombeve të Bashkuara. Tjetri, Ilir Meta, pret në shtëpi vendimin e gjykatës pas kërkesës së prokurorisë për disa vite burg si pasojë e një skandali të bujshëm korrupsioni botërisht të njoftuar në mediat e mbarë planetit.

Të dy u bënë në periudha të lavdishme për FRESSH -in kryeministra të Shqipërisë, ndërsa vetë FRESSH -i u bë ndoshta e vetmja organizatë politike rinore në botë që i dha vendit të vet njëri pas tjetrit dy kryeministra. Në mënyrën e tyre të dy i dhanë Shqipërisë një kontribut të konsiderueshëm në krye të qeverisë së vendit, paçka se në rrugëtimin e tyre politik Majko përfaqësoi vijimësisht një Shqipëri me dinjitet, kontradikta e kufizime të vetë kohës, ndërsa Meta u kthye përgjatë rrugës në përfaqësuesin e Shqipërisë së marramendur prej fuqisë abuzive dhe parasë së fituar babëzisht matanë kufijve të ligjit (edhe FRESSH-it kryeministrimi i tij problematik i la asokohe një faturë të rëndë imazhi). Vazhdojnë të jenë që të dy në skenë si për të dëshmuar me praninë e tyre praninë në jetën politike të të dyja Shqipërive në mjedisin ku jeton sot gjenerata më e re e fillimviteve 90, shkruan Rama në editorialin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›