FRESSH-i shënon sot 20-vjetorin e krijimit

Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë (FRESSH) shënon sot 20 vjetorin e themelimit të tij. Aktiviteti me rastin e 20-vjetorit të FRESSH-it do të startojë në Pallatin e Kongreseve ku sipas organizatorëve, ky do të jetë një nga aktivitetet më të mëdhenj të rinisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Në aktivitetin kryesor në Pallatin e Kongreseve do të jenë të pranishëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama drejtues të tjerë të lartë të PS-së si dhe një pjesë e themeluesve të FRESSH. Në editorialin e tij kreu i PS-së Rama ka theksuar se asnjë organizatë rinore në Shqipëri s`e ka pasur në këta 20 vjet as historinë dhe as impaktin e FRESSH-it në jetën politike shqiptare. Sipas tij FRESH-i i dha PS-së shtysën jetike drejt hapjes me shoqërinë dhe i dha shoqërisë mundësinë të shohë përtej perdes së hekurt të paragjykimeve të rënda që PS-ja mbarte nga e shkuara në misionin e saj historik të vendosjes në ekuilibër të demokracisë së. “Pandeli Majko dhe Ilir Meta, dy protagonistët e padiskutueshëm të jetës politike të rinisë socialiste mishëruan për një kohë të gjatë suksesin si edhe të dy anët e medaljes së atij suksesi. Anën e pastër dhe atë të pistë të vetë politikës, të cilat sot në distancën që na mundëson koha janë lehtësisht të lexueshme. Madje si për të lehtësuar ende më shumë këtë lexim, njëri, Pandeli Majko, gjendet në këto momente në New York në pritje të një emërimi në rangjet më të larta të Kombeve të Bashkuara, tjetri, Ilir Meta, pret në shtëpi vendimin e gjykatës pas kërkesës së prokurorisë për disa vite burg si pasojë e një skandali të bujshëm korrupsioni botërisht të njoftuar në mediat e mbarë planetit. Të dy u bënë në periudha të lavdishme për Fressh-in kryeministra të Shqipërisë, ndërsa vetë FRESSH-i u bë ndoshta e vetmja organizatë politike rinore në botë që i dha vendit të vet njëri pas tjetrit dy kryeministra. Në mënyrën e tyre të dy i dhanë Shqipërisë një kontribut të konsiderueshëm në krye të qeverisë së vendit, paçka se në rrugëtimin e tyre politik Majko përfaqësoi vijimësisht një Shqipëri me dinjitet, kontradikta e kufizime të vetë kohës, ndërsa Meta u kthye përgjatë rrugës në përfaqësuesin e Shqipërisë së marramendur prej fuqisë abuzive dhe parasë së fituar babëzisht matanë kufijve të ligjit (edhe Fressh-it kryeministrimi i tij problematik i la asokohe një faturë të rëndë imazhi). Vazhdojnë të jenë që të dy në skenë si për të dëshmuar me praninë e tyre praninë në jetën politike të të dyja Shqipërive në mjedisin ku jeton sot gjenerata më e re e fillimviteve ’90 ” thekson Rama në editorialin e tij.
Ndërkohë përveç organizimit në Pallatin e Kongreseve, të rinjtë do të marshojnë dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.