E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konjufca: Qeveria shkeli popullin për Serbinë

PRISHTINE- Të qenët nënkryetar i Kuvendit në Kosovë nuk mjafton si argument për ti shpëtuar dhunës së policisë. Të paktën Glauk Konjufcës së lëvizjes Vetëvendosje ky privilegj nuk i ka hyrë në funksion të shtunën. Ai është rrahur njëjtë si secili qytetar tjetër që ka qenë pjesë e aksionit për mbylljen e kufirit me Serbinë, konform mocionit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë, të miratuar më 7 dhjetor të vitit të kaluar.

Konjufca, i cili ishte munduar të mos lejonte mallrat e Serbisë të hynin nga Serbia nga Dheu i Bardhë ka folur për Kohën Ditore, vetëm pesë minuta pasi disa policë në Stacionin e Policisë së Kosovës në Gjilan i kanë thënë: Je i lirë.  Ai ka thënë që 14 janari ka zbardhur shumë gjëra në Kosovë.

Dita e sotme e ka vërtetuar një gjë – që Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës për tia shtruar rrugën Serbisë drejt Kosovës me pesëqind milionë euro mallra të saj, ka qenë në gjendje që të shkelë mbi popullin e Kosovës dhe mbi qytetarin e Kosovës. Dhe, kjo është parë shumë qartë se si mes popullit dhe Serbisë, Qeveria e Kosovës e ka zgjedhur Serbinë. Ne ishim tërësisht paqësorë, ne i lejonim të qarkullonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, ne çka bllokuam ishin vetëm kamionët me mallrat serbe- tha ai.

Sipas tij, duke e parë një ndërhyrje kaq brutale, mizore e të dhunshme të Qeverisë kundër qytetarëve edhe me urdhra të qarta për Policinë nga ana e Qeverisë, atëherë këtu nuk ka tjetër mesazh përveç atij se Qeveria e Kosovës ka interesa vitale, jetike e ngushtësisht të lidhura ekonomikisht me shtetin e Serbisë. Përndryshe, një mizori e tillë dhe një dhunë e tillë nuk mund të shpjegohet ndryshe ndaj qytetarëve, të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe duan reciprocitet të plotë me Serbinë, përveçse me faktin që Qeveria e Kosovës ka lidhje speciale ekonomike me Serbinë- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›