VV në Prizren: Këtë vit të dënohen zyrtarët e korruptuar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Arbër A. Rexhaj nuk është i kënaqur më mënyrën e fillimit të vitit 2013-të. Ai vlerëson se ky vit i ri kalendarik, është dashur të fillojë me dorëheqjen e “Qeverisë Muja”, dhe dënimin e të gjithë zyrtarëve të akuzuar për keqmenaxhim dhe korrupsion.
Skandalet njëpasnjëshme dhe aktakuzat e shumta për vepra të jashtëligjshme ,sipas tij, këtë qeveri lokale e bënë të rrezikshme për interesin publik. “Prandaj largimi i kësaj qeverie është bërë e domosdoshme”, thotë Rexhaj, në një intervistë për ‘PrizrenPress”.
Sipas tij, udhëheqja lokale në Prizren, tashmë është e degraduar dhe korruptuar. “Zyrtarët e saj më shpesh i gjen në zyret e prokurorisë sesa në zyret e tyre të punës”, shprehet Rexhaj.
Ai thotë se me deponimin e kallëzimit penal në Prokurorinë Komunale të Prizrenit ndaj Drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçajt dhe kryesuesit të KK-së, Nijazi Kryeziut, Vetëvendosje! ka dhënë prova dhe dëshmi materiale për keqpërdorimin e parasë dhe interesit publik. “Kallëzimet e penale i konsiderojmë si të bazuara, prandaj edhe i kemi deponuar në Prokurorinë e Komunale në Prizren”, thotë Rexhaj.
“Lëvizja Vetëvendosje!, operon në dy rrafshe, në sferën publike institucionale jo-institucionale, dhe si të tillë sigurisht që jemi politik. Ndërsa sa i përket kallëzimeve penale dhe mjeteve tjera juridike, ato i konsiderojmë si mekanizma shtesë në kuadër të mjeteve demokratike dhe ligjore për luftimin e këtij pushteti të padrejtë, të degraduar dhe të kriminalizuar deri në skaj”, shprehet Rexhaj.
Ai tregon se deri më tash Vetëvendosje!, ende nuk ka marrë përgjigje, apo njoftim zyrtar lidhur me “fatin” e kallëzimeve penale nga Prokuroria Komunale. “Ne kemi vepruar në në rrugë ligjore, kallëzimet i kemi deponuar në vendin ku duhet, dhe nëse në këtë vend ekziston ajo që e quajmë drejtësi, atëherë Prokuroria duhet të veprojë pa humbur kohë ”, shprehet Rexhaj.
Lëvizja Vetëvendosje në Prizren nuk është e kënaqur as me rolin e opozitës, e cila është pjesë e Legjislativit të Komunës së Prizrenit. Rexhaj, akuzon asamblistët e LDK-së, se me votën e tyre kanë legalizuar krimin urbanistik në qytetin e Prizrenit.
“Krejt në mënyrë demagogjike, asamblistët e LDK-së çirreshin se kjo rregullore legalizon krimin urbanistik në qytetin e Prizrenit, por në momentin e votimit, votuan njëjtë si PDK-ja”, thekson Rexhaj.
Kryetari Rexhaj, tregon se Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, do të marrë pjesë në zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat parashihen të mbahen në vjeshtë të këtij viti në të gjitha komunat e Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prizren do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Me gjithë potencialin organizues do të angazhohet për të marrë pushtetin lokal në Prizren duke parashtruar para qytetarëve alternativën qeverisëse”, premton Rexhaj. Ai tregon se kandidati i Vetëvendosjes, për kryetar të Prizrenit, do të votohet drejtpërdrejtë nga anëtarësia e gjerë.“Prandaj për kryetar komune ka të drejtë të kandidojë çdo anëtarë brenda Lëvizjes, dhe më pas ata duhet t’i nënshtrohen garës së brendshme që më në fund të dal kandidati për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!/Indeksonline/