E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, 20 milionë gjoba për incidentet e fundjavës

TIRANE-Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në një ditë afro 20 milionë lekë të vjetra gjoba, për ngjarjet e ndodhur në fundjavën e shkuar. Vendimi i sotëm i Komisionit të Disiplinës bie në sy sidomos për sanksionet e rënda financiare të vendosura ndaj klubeve të Kategorisë Superiore, kryesisht për hedhje të sendeve të forta apo për termin e ri të futur në rregullore, “sjellje e gabuar e tifozëve”. Klubi që e ka pësuar më rëndë ka qenë Tomori i Beratit, që për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në marrjen e masave të sigurisë për ndeshjen, hedhjen e sendeve të forta në fushë dhe sjelljen e gabuar të tifozëve, është gjobitur me 300 mijë lekë dhe është dënuar të luajë 4 ndeshje pa praninë e tifozëve. Një vendim që erdhi për shkak të problemeve të shumta të shkaktuara nga tifozeria beratase në takimin me Dinamon ditën e diel. Në fushë u hodhën thuajse gjatë gjithë kohës shishe, ç’ka e bëri zhvillimin e takimit shumë të vështirë. Ndërkohë, për thuajse të njëjtën arsye, klubi i Apolonisë ka marrë një gjobë stratosferike prej 700 mijë lekësh të reja. Takimi ndaj Laçit u ndërpre për 4 minuta për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës. Një sanksion i rëndë edhe për trajnerin e skuadrës së Apolonisë Stavri Nica. Deklarata e tij se “arbitri më tha që do të fitojë Laçi”, ka bërë që FSHF ta dënojë me 3 muaj pezullim nga çdo aktivitet dhe me 300 mijë lekë gjobë. Veç kësaj, ai hyri edhe në fushën e lojës në momentin që ajo ishte ndërprerë si rrjedhojë e hedhjes së sendeve. Ndërkohë, zëvendës trajneri i Pogradecit Thanas Papa, për hyrje në fushë pa lejen e arbitrit dhe për thirrjen e bërë ekipit që të braktiste ndeshjen, është pezulluar për 12 muaj dhe gjobitur me 200 mijë lekë. Gjithçka ndodhi në sfidën me Tiranën, kur Papa i kërkoi skuadrës të linte fushën, pas një penalltie të dhënë për bardheblutë. Një gjobë 300 mijë lekëshe ka marrë dhe Skënderbeu për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe për sjellje të gabuar të tifozëve në takimin me Shkumbinin. Por, një masë e rëndë ka ardhur edhe për një njeri të veshur me pushtet, si kryetari i bashkisë së Gramshit Dritan Bici. Ai është futur në fushë dhe ka sharë e fyer arbitrat, kështu që FSHF ka vendosur t’i ndalojë hyrjen në stadium për 6 ndeshje. Kjo është nga të paktat raste kur Komisioni i Disiplinës vendos sanksione ndaj kryetarëve të bashkive apo njerëzve të veshur me pushtet. Ndër gjobat e tjera spikat ajo për trajnerin e Korabit në kategorinë e tretë. Ai është pezulluar 8 ndeshje dhe ka marrë 100 mijë lekë gjobë.

VENDIMET E KDS
1. KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të tifozëve dhe hedhjes sendesh në fushë, gjobitet me 300 mijë lekë.
2. KF Apolonia për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe sjellje të gabuar të tifozëve, duke sharë zyrtarët e FSHF, dënohet me 700 mijë lekë gjobë.
3. Trajneri i Apolonisë Stavri Nica, për përhapje me dashje të fakteve të pavërteta ndaj FSHF e zyrtarëve të ndeshjes si dhe hyrjen në fushë, pezullohet 3 muaj dhe gjobitet me 300 mijë lekë.
4. KS Vlora për dështim në organizimin e ndeshjes së Kupës me Dinamon, e humb atë në tavolinë 3-0.
5. KF Tomori për dështim në marrjen e masave të sigurisë, hedhje të sendeve në fushë dhe sjellje të gabuar të tifozëve e thirrje ofenduese ndaj FSHF, gjobitet dënohet me 4 ndeshje pa tifozë dhe 300 mijë lekë gjobë.
6. Zv.trajneri i Pogradecit Thanas Papa, për hyrje në fushë pa leje dhe thirrje për braktisje të ndeshjes, pezullohet 12 muaj dhe gjobitet me 200 mijë lekë.
7. Z.Dritan Bici i KF Gramshi, për sjellje të gabuar e ofenduese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndalohet të hyjë në stadium për 6 ndeshje.
8. Lojtarët Lorenc Trashi i Gramshit e Armand Cako i Gramozit pezullohen 5 ndeshje e gjobiten me 30 mijë lekë.
9. Trajneri i Korabit Sali Kallaverja pezullohet 8 ndeshje e gjobitet me 100 mijë lekë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›