E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi fiton në Moskë, CSKA-së nuk i mjafton zemra

MOSKE-Interi ka dalë me sukses nga transferta e Moskës, duke mundur 3-2 CSKA-në vendase, në një ndeshje “thriller”. Zikaltërit ishin në avantazh 2-0 deri në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërkohë që vendasit arritën të barazonin, por pa mundur dot të dalin me pikë. Ishte braziliani Lusio ai që kaloi Interin në avantazh pas vetëm 6 minutash, duke shfrytëzua mjaft mirë një goditje këndi. Gjuajtja e tij në gjysmë lartësie u devijua edhe nga Berezutski për të përfunduar në rrjetë. Minuta e 23-të solli golin e dytë për italianët, me autor Xhampaolo Pacinin. Aksioni nisi me Nagatomon nga e djathta. Sulmuesi japonez shmangu një mbrojtës dhe futi një top në qendër për Pacinin, që e devijoi më pas në rrjetë. 2-0 dhe gjithçka u duk e mbyllur, por në fundin e pjesës së parë, një goditje dënimi në kufijtë e zonës solli golin e parë për rusët. Gjuajtja e Xhagoev mori një trajektore perfekte dhe Zhulio Sezar e ka patur të pamundur për të ndalur. Në pjesën e dytë rusët ishin më kërkues dhe 13 minuta para fundit, Vagner Lov barazoi gjithçka, duke përfituar edhe nga nje neglizhencë e Zarates. Më pas ishte pikërisht argjentinasi që shënoi golin e fitores, duke i dhënë Interit 3 pikët e para në grupin B.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›