E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Ligje më të ashpra për dhunën

Kërkesa

Dhuna që karakterizoi javën e 18 të Kategorisë Superiore vazhdon të jetë temë bisede në instancat shtetërore, ku synimi është gjetja e zgjidhjeve për të evituar këtë fenomen. Gjatë paradites së djeshme, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pranë Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një seancë dëgjimore, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Ministrisë së Sporteve. Aty është diskutuar për grushtin masiv që shpërtheu në derbin Tirana-Dinamo, por edhe për ngjarjet e takimit të parë Flamurtari-Besa (sfidë e përsëritur në mesjavë, vlonjatët fituan 3-0), ku kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, zbriti në fushë, duke ndryshuar vendimet e gjyqtarit. Sekretari i FSHF-së, Prodani, e vendosi edhe një herë theksin te nevoja që ligjet për dhunën në sport të ashpërsohen. Kjo ishte teza që numri 2 i “qeverisë” së futbollit kishte mbrojtur edhe në mbledhjen më të fundit të Komisionit Antidhunë. Prej kohësh, drejtuesit më të lartë të topkëmbës në vend kanë denoncuar dhunën që ushtrohet nga tribuna VIP, ose rastet ku shpeshherë njerëz të veshur me pushtet shërbejnë si katalizatorë për veprimet ekstremiste të tifozëve.
Ndërkohë, Uvil Zajmi, i dërguari i MTKRS-së, theksoi se është propozuar edhe ruajtja e perimetrit me policë civilë, e cila në një farë mënyre do të ishte kopjim i modelit anglez të “stjuardve në stadiume”. Mbledhja ka vazhduar me diskutime ndërmjet anëtarëve, ku është kërkuar përmirësimi i ligjit për sportin, modernizimi i impianteve sportive dhe ndryshimi i marrëdhënieve president-klub. Nga ana e tij, Komisioni për Edukimin kërkoi ndëshkime edhe më të rënda për dhunën e shfaqur në stadiume.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›