Muça: Me Gramozin, sfida më e vështirë
Dinamo me pesë mungesa, sot përballë kolonjarëve
Sfida Gramozi-Dinamo, që do të luhet sot në Ersekë, do të hapë javën e 20-të në Kategorinë Superiore. Kryesuesit e kampionatit do të vendosen përballë atij që, sipas trajnerit Shkëlqim Muça, është testi më i vështirë i këtij sezoni. Kjo për shkak se blutë do të zbresin në fushën e lojës me formacion të përgjysmuar, ku problemet më të mëdha janë padyshim në repartin e mbrojtjes. Treshja titullare, Pisha, Diop e Putinçiani nuk janë në dispozicion të skuadrës. Dy të parët mungojnë për shkak kartonësh, ndërsa mbrojtësi serb ka ende probleme shëndetësore dhe ende nuk mund të thuhet me siguri kur do të rikthehet në fushë. Në fillim të javës, përveç treshes së repartit difensiv, ishte e konfirmuar edhe mungesa e Bekim Kulit, i penalizuar me dy javë nga Komisioni i Disiplinës. Por, lajmi tjetër i keq ka ardhur nga mesfushori me tipare mbrojtëse, Gentjan Muça. Lojtari 22-vjeçar, që së fundmi u përfshi në planet e trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, është i sëmurë dhe nuk udhëtoi me skuadrën. Përpara nisjes për në Korçë, ku blutë kaluan mbrëmjen e së enjtes, trajneri Muça e cilësoi ndeshjen e radhës si më të vështirën për Dinamon në sezonin aktual. “Kjo është padyshim ndeshja jonë më e vështirë. Duhet të përballemi me mungesat e shumë lojtarëve kryesorë, ndërsa problemet më të mëdha janë në mbrojtje. Tashmë që edhe Gentjan Muça nuk është në gjendje të luajë, duhet të mendojmë zgjidhje të tjera për këtë repart. Natyrisht që është e vështirë të luash thuajse pa mbrojtës, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë”, deklaroi drejtuesi i stolit kryeqytetas. “Takimi vështirësohet edhe për faktin se Gramozi kërkon me patjetër pikë, për të përmirësuar pozitat në klasifikim. Ata do të sulmojnë dhe do të kërkojnë tri pikët, për të përfituar edhe nga faktori fushë”. Në fakt, fusha është pikërisht ajo që mund të bëjë diferencën në takimin e sotëm. Dinamo është një skuadër mjaft teknike, e cila e ka të vështirë të shprehet në nivele të larta në terrene të vështira. Kjo u vërtetua në Peqin, në takimin e javës së 16, ku në një fushë të mbuluar nga balta, kryesuesit u mposhtën 4-0, duke pësuar edhe humbjen e parë sezonale. “Më siguruan që fusha do të jetë në gjendje të mirë dhe se klubi vendas i ka marrë të gjitha masat për pastrimin e dëborës. Natyrisht që nuk presim një terren shumë të mirë, por ne do të bëjmë të pamundurën që ta fitojmë edhe këtë ndeshje, për të vazhduar ecurinë pozitive”, përfundoi tekniku.Ndërkohë, lajme pozitive kanë ardhur nga mesfushori Emiliano Vila, i cili pësoi një lëndim të vogël në miqësoren e luajtur të mërkurën me kampionët e Kosovës, FK Trepçen. Gjendja e lojtarit kuqezi është e mirë dhe ai pritet të zbresë normalisht në fushë.
#