FSHF gati projekti për të huajt
23/05/2005 Deri në momentet kur flasim, numri i të huajve në kampionatin shqiptar të futbollit është i pakufizuar. Edhe pse jo të gjitha skuadrat kënë në përbërje të tyre futbollistë të huaj, disa të tjera kënë një numër tepër të lartë të tyre. Shembujt janë të shumtë, ku Dinamo dhe Partizani janë më tipikët. Dhe pikërisht një temë e tillë ka vënë në lëvizje Federatën Shqiptare të Futbollit dhe më saktë Sektorin e Garave, i cili pritet të dorëzojë në Komitetin Ekzekutiv një projekt lidhur me numrin e futbollistëve të huaj që aktivizohen në kampionatin tonë. “Goli” i këtij projekti ka për qëllim, vënien fre të lëvizjes së pakontrolluar të futbollistë të huaj në skuadrat tona. Është Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), që së shpejti do t'i dorezojë për miratim Komitetit Ekzekutiv një projekt të tillë, lidhur me kufizimin e hyrjes pa asnjë kontroll, të futbollistëve të huaj në skuadrat tona. Burime pranë këtij sektori kanë thënë se Sektori i Garave, duke marrë edhe mendimin e specialistëve të FSHF-se, ka ideuar kufizimin e numrit të lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar, duke hartuar edhe një projekt për këtë çështje. Në fakt një çështje e tillë kishte kohë që përflitej dhe diskutohej në organin drejtues të futbollist në vend. Por, pikërisht shumë shpejt një gjë e tillë do të bëhet realitet. Sipas burimeve brenda FSHF-së, mendohet që numri i futbollistëve të huaj në një ekip të Kategorisë Superiore të jetë jo më shumë se pesë. Por, ndër këta pesë futbollistë, vetëm tre mund të aktivizohen në fushën e lojës. Projekti që pritet t’i kalojë për miratin Komitetit Ekzekutiv pranë FSHF-së, përfshin dryshime edhe për sa i takon skuadrav të Kategorisë së Parë. Edhe në kategorinë inferiore deri në këto momente nuk ka patur asnjë kufizim në lidhje me numrin e futbollistëve të huaj që mund të aktivizojë një skuadër. Me projektin e ri parashikohet që numri i futbollistëve të huaj në një skuadër të jetë jo më shumë se tre, ndërkohë që të drejtën e aktivizimit do ta kenë vetëm dy futbollistë. Në kategoritë e tjera, sipas projektit të hartuar, nuk do të lejohet asnjë futbollist i huaj.