E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF gjobit Gramozin e pezullon Halim Begajn e Flamurtarit.

TIRANE- Komisioni disiplinor i Federatës Shqiptare të Futbollit dënon me gjobë 100 mijë lekë dhe 3 ndeshje pa tifozë skuadrën e Gramozit të Ersekës.

Vendimi u mor pas dhunës në fushën e stadiumit të Ersekës, gjatë ndeshjes mes Gramozit dhe Lacit.

Miqtë kanë fituar të dielën 2-1, falë golave të shënuar nga Nora në minutën e 75-të dhe Jushi në të 96-tën, ndërkohë që për vendasit shkurtoi në minutën e 97-të Hyseni. Thuajse gjatë gjithë ndeshjes ka patur probleme, pasi tifozët kanë hedhur gurë pambarimisht ndaj skuadrës mike. Por, pas shënimit të golit nga Nora, gjendja është acaruar më shumë. Tifozët në fakt e kanë patur më shumë me abitrin Kridens Meta sesa me skuadrën kundërshtare, ndërsa lojtarët në fushë kanë menduar ndryshe. Futbollistët e Gramozit kanë goditur atë të Laçit Jetmir Nino, që sipas kurbinasve është çuar në spital thuajse në gjendje koma. Po ashtu, i janë thyer xhamat edhe autobusit të Laçit, ç'ka konfirmon situatën e rëndë të krijuar në përfundim të këtij takimi. Gramozi mbeti në vendin e parafundit në renditje me vetëm 11 pikë pas 13 javësh kampionat.

FSHF ka ndëshkuar dhe kapitenin e Flamurtarit Halim Begaj, i cili në ndeshjen e së dielës me Dinamon, goditi arbitrin anësor. FSHF ka urdhëruar pezullimin e Begajt në tre ndeshje.

Të dielën Në "Qemal Stafa", Dinamo ka arritur të fitojë 1-0, falë golit të shënuar nga argjentinasi Souza 5 minuta para përfundimit. Ka qenë një goditje këndi, që ka sjellë një rrëmujë në zonë dhe më pas erdhi goli i bluve. Afrikani Diop e preku topin me finte përpara se Souza ta dërgonte në rrjetë, por sipas lojtarëve vlonjatë Diop ishte jashtë loje. Protesta ishin vërtetë të ashpra, ndërsa kapiteni i Flamurtarit Halim Begaj nuk i ka kursyer një shpullë anësorit Emiljano Biçaku, ndërsa e ka sharë vazhdimisht nga motra.

P0 kështu Komisioni i Disiplinës ka vendosr që skuadra e Këlcyrës, në kategorinë e dytë të luajë dy ndeshje pa tifozë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›