Pezullohen 1 vit dhunuesit e vëzhguesit
Komisioni i Disiplinës nuk bën skonto as kësaj radhe në lidhje me dhunën në fushën e lojës. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe vendimet e saj të dhëna për dhunuesit e vëzhguesit të ndeshjes Sopoti-Burreli 1-0. Kjo çështje është marrë në shqyrtim dje nga anëtarët e komisionit juridik të FSHF-së, të cilët më kanë rënë në një mendje për të përjashtuar për një vit nga çdo aktivitet futbollistik dy lojtarët e Burrelit, Alban Selmani dhe Ervis Neli, të cilët kanë goditur me grushte e shkelma vëzhguesit. Për dy të lartpërmendurit ka shkuar edhe një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja. Ndërkohë që nuk ia ka hedhur lehtë edhe Bilishti, pas incidenteve të dhunshme në sfidën e mesjavës në shtëpi përballë Partizanit, takim i fituar 0-3 nga të kuqtë. Klubi “Bilisht Sport” ka marrë një gjobë prej 50 mijë lekësh të reja për hedhje të gurëve e sendeve të forta në fushe, nga të cilat është dëmtuar fizikisht arbitri, por jo deri në atë masë sa të bënte të pamundur vijimin e arbitrimit e ndeshjes.
#