FSK-ja, e gatshme për misione paqeruajtëse

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ka vlerësuar se Forca e Sigurisë e Kosovës është e përgatitur që të shërbejë në misione të ndryshme paqeruajtëse, në vende të ndryshme, sidomos në fushën e ndihmës ndaj komunitetit si në fushën e shëndetësisë, deminimit të minave dhe menaxhimin e mjeteve eksplozive.
Ai po ashtu ka thënë se FSK-ja për një kohë të shkurtër do të jetë e gatshme të shërbejë edhe në fusha të tjera. Komandanti Buhler këto komente i ka bërë para studentëve të Institutit për Studime Politike dhe Evropiane (ISPE). Buhler është shprehur shumë i kënaqur me zhvillimet e deritashme të FSK-së në Kosovë dhe Ministrisë së FSK-së, të cilat i ka vlerësuar të kenë qenë shumë pozitive dhe gjithashtu ka cekur bashkëpunimin shumë pozitiv të tij me këtë strukturë.
Ai prezantoi strukturën e tanishme të pjesëtarëve të FSK-së, e cila sipas tij, është afër arritjes së strukturës së paraparë me Pakon e Ahtisarit dhe theksoi se është i impresionuar me numrin shumë të madh të kandidatëve të interesuar për t’u anëtarësuar në këtë strukturë. Duke konsideruar imazhin e FSK-së si një aspekt të rëndësishëm, gjenerali ka shprehur gatishmërinë e KFOR-it dhe njëkohësisht angazhimin e tyre që janë duke e bërë në lidhje me promovimin e një imazhi pozitiv të FSK-së dhe Kosovës në përgjithësi në shtetet fqinje dhe të tjera evropiane.