E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK-ja gjithnjë e më e fortë

Forca e Mbrojtjes e Kosovës (FSK) po rritet dhe po forcohet për çdo ditë, duke iu përshtatur edhe standardeve të NATO-s. Këto vlerësime i bëri sot në Ferizaj, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, gjatë një vizite në Qendrën e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën e FSK-së.

Mujota, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi dhe nga një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës, kanë vëzhguar nga afër ushtrimin fushor “Luani i shkathtë 2”, të organizuar në kazermën e FSK-së në Ferizaj.

I pyetur për angazhimin e komuniteteve dhe të gjinisë femërore në FSK, ministri Mujota ka thënë: “Edhe këtu kemi përfaqësues të komuniteteve”, duke shikuar nga parlamentari Branisllav Gërbiq.

Ministri Mujota është shprehur i kënaqur me rritjen e përqindjes të pranisë së komuniteteve në FSK. “Kemi një prani gjithnjë e më të madhe. Tash kemi arritur që 8.8 për qind të pjesëtarëve të FSK-së të jenë nga komunitetet”, ka thënë Mujota.

Kurse, prania e gjinisë femërore në FSK është në shkallën prej 4 për qind.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›