I arratisuri nga burgu, kapet para tentativës së grabitjes

Xhevahir Kasemi, një javë më parë dyshohet se ka kryer një grabitje në Laç, pasi kishte thyer lejen e marrë në burg
TIRANË- Një i dënuar me dhjetë vite burg që kishte marrë leje në burgun e Lezhës, ku vuante dënimin dhe që më pas nuk ishte kthyer aty, u arrestua dje në mesditë nga njësia e kërkimit dhe operacionale e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pranë Zogut të Zi, kur po bëhej gati për të kryer një grabitje.
Ndërkohë, sipas burimeve të Policisë, i arrestuari pak ditë pasi kishte marrë leje në burgun e Lezhës, është shpallur në kërkim si i dyshuar për një grabitje të një dyqani celularësh të ndodhur në qytetin e Laçit. Xhevahir Kasemi, 27 vjeç, nga Kruja, në mesin e këtij muaji, theu lejen e marrë në Burgun e Shën Kollit në Lezhë, ku vuante një dënim prej dhjetë vitesh burg.
Ai u kap dje në flagrancë në mesditë, para se të realizonte një grabitje në afërsi të vendit të quajtur "Zogu i Zi", ndërsa vëzhgohej nga policia, pasi ishte siguruar informacion për vendndodhjen e tij. Të arratisurit nga burgu, në momentet e arrestimit iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë 'TT", që mendohet se mund ta përdorte gjatë grabitjes që po përgatitej të kryente.
Pas kapjes së tij, policia konfirmoi se Kasemi pesë ditë më parë ka kryer një grabitje në qytetin e Laçit, ku kishte grabitur një argjendari. Në mesin e muajit qershor të këtij viti, Xhevahir Kasemi ka bërë një kërkesë për të marrë leje nga autoritetet e Burgut të Lezhës.
Autoritetet e Burgut të Shën-Kollit, pas kërkesës kanë vendosur t'i japin leje pesë ditore të dënuarit me 10 vjet burg për grabitje. Ky i fundit ka parashtruar në kërkesën e tij se kërkonte leje për një shqetësim familjar.
Por pasi i ka përfunduar leja, i dënuari nuk është kthyer në vendin e vuajtjes së dënimit. Për këtë policia e ka shpallur në kërkim për veprën penale të largimit nga vendi i dënimit. Pasi nuk u kthye në burg, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje ka nisur verifikimin, duke marrë nën hetim personat që kishin dhënë lejen për të dënuarin.
Hetimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm janë përqendruar në mënyrën e dhënies së lejes për të dënuarin, nëse janë shkelur apo jo procedurat e dhënies së lejes për rastin e Xhevahir Kasemit.
I arrestuari do të hetohet jo vetëm për veprën penale të largimit nga vendi i dënimit, por pas ngjarjes së ndodhur në Laç, i cili dyshohet të ketë realizuar grabitjen e një argjendarie, mbi të do të rëndojë edhe akuza e vjedhjes me dhunë.