E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Masakra e Mejës

Në fshatin Mejë të Gjakovës, nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot mbahet manifestimi qendror për shënimit e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës. Më 27 prill të vitit 1999 forcat militare e paramilitare serbe patën vrarë e masakruar 377 meshkuj të 15 fshatra të rrethit të Gjakovës.

Kurse, EULEX-i ka filluar zyrtarisht hetimet për rreth 20 të dyshuar lidhur me masakrën e Mejës, të kryer nga forcat serbe, në pranverë të vitit 1999.

Zëdhënësja e këtij misioni, Bardha Azari ka theksuar për Radio Kosovën se procesi vetëm sa ka hyrë në fazën e hetimeve zyrtare, por ende nuk ka asnjë aktakuzë për këtë rast, ashtu siç ishte raportuar në disa media.

“Në rastin e Mejës bëhet fjalë për fillimin e hetimeve zyrtare dhe jo për aktakuzë. Nuk janë të akuzuar, janë vetëm të dyshuar sepse në momentin që hetimet fillojnë zyrtarisht nuk ka të akuzuar por vetëm të dyshuar. Bëhet fjalë për rreth 20 persona që janë identifikuar si të dyshuar të mundshëm në këtë rast. Nuk ka aktakuzë”, ka deklaruar Azari.

Sipas ligjeve në fuqi, hetimet mund të zgjasin deri në dy vjet dhe më pas të ngrihet aktakuza ose të mbyllen fare, pa dhënë ndonjë rezultat, raporton rtk.

14 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Reken e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye masakra më e madhe në luftën e Kosovës. Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15 - 60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, ku u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Dita e të pagjeturve në Kosovë simbolizon ditën e 27 prillit të vitit 1999, kur në fshatin Mejë, ka ndodhur masakra më e madhe ndaj civilëve shqiptarë nga ana e forcave serbe. Edhe sot e kësaj dite, 14 vjet pas shumë nga të ekzekutuarit konsiderohen të zhdukur dhe familjarët e tyre vazhdojnë të kërkojnë kthimin e trupave për t’i varrosur në vendlindje./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›