Mediat kroate: Josip Kuzhe, kandidat për Dinamon e Zagrebit
Josip Kuzhe cilësohet si një prej kandidatëve potencialë për të marrë drejtimin e Dinamos së Zagrebit në fund të këtij sezoni. Mediat kroate spekulojnë se trajneri i Kombëtares shqiptare ndodhet në listën që drejtuesit e klubit po shqyrtojnë për pasardhësin e teknikut aktual, Kruno Jurçiç. Ky i fundit vazhdon punën e tij në krye të stolit dhe po e udhëheq skuadrën e mirënjohur të kryeqytetit kroat drejt titullit të 12-të kampion. “Josip Kuzhe nuk është i panjohur në ambientet e klubit. është i parapëlqyeri i tifozëve, pasi nën drejtimin e tij, Dinamo ishte një skuadër që arrinte rezultate dhe dhuronte spektakël. Por, trajneri ka një kontratë me përfaqësuesen shqiptare deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012”, theksojnë gazetat në Kroaci. Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuzhe mori “bekimin” e krerëve të FSHF-së dhe rinovoi kontratën deri në vitin 2011. Kjo nuk është hera e parë që përflitet se 57-vjeçari mund të rikthehet për të punuar në vendlindje. Diçka e tillë ka ndodhur vetëm pak muaj pasi ai mori drejtimin e stolit kuqezi në maj të vitit 2009, kur zëvendësoi holandezin Ari Han. Paraqitjet e mira të Kombëtares shqiptare në sfidat e fundit eliminatore të Botërorit 2010 rritën kuotimet e trajnerit në Kroaci, ku deri në atë kohë ai përflitej më shumë për problemet në jetën private. Në fillim të këtij sezoni oferta joshëse ka pasur edhe nga Arabia, megjithatë Kuzhe deklaroi se dëshironte të punonte për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe nuk do të shqyrtonte asnjë propozim. Përveç trajnerit kuqezi, si zëvendësues të mundshëm të Jurçiç shihen edhe Nikola Jurçeviç, Igor Pamiç, ndërsa së fundmi po përflitet edhe emri i ish-kapitenit të Kroacisë, Niko Kovaç.
#