E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi zgjedh trajerin, vjen Gasperini

SHKRUAN: Jeton Selimi 25-06-2011 11:16

Zgjidhja e historisë së dyshimtë ishte zbuluar pak ditë më parë, por dje ka ardhur edhe “vendimi i gjykatës”. Telenovela e trajnerit të Interit ka marrë fund, pasardhësi i Leonardos është Xhan Piero Gasperini. Mungon akoma vendimi i “kasacionit” sepse zyrtarizimit i duhet të presë formalitetet burokratike, por Interi shuan kuriozitetin e të gjithëve me një lajmërim që largon çdo dyshim.

Gasperini, i lindur në Gruljasko në provincën e Torinos, më 26 janar të vitit 1958, është trajneri i ri i Interit. Ka firmosur një kontratë dy-vjeçare me një pagesë prej 1.5 milionë eurosh në sezon dhe nuk do të sjellë me vete në Apiano Xhentile ish-juventinë të tjerë. Gatë orëve të fundit kishin qarkulluar emrat e përgatitësit atletik Ventrone dhe të përgatitësit të portierëve, Rampula, por nuk do të ndodhë asgjë e tillë. Gasperini do të punojë me statin aktual, të cilit do t’i shtohen dy bashkëpunëtorë, asistenti Bruno Kaneo dhe përgatitësi atletik Luka Truki. Për Gasperinin është një rilindje në mënyrë madhështore pas pushimit nga detyra në nëntor të vitit 2010 kur drejtonte Xhenoan. Karriera e tij ka nisur në sektorin e të rinjve të Juventusit, pastaj eksperienca në Krotone dhe nga viti 2006 në Xhenoa, me të cilën arriti të ngjitet në Serie A dhe të kualifikohet për në Champions Laegue.

Lajmi për emërimin e Gasperinit u dha në sajtin zyrtar të klubit zikaltër me këtë komunikatë: “Do të jetë Xhan Piero Gasperini trajneri i ri i Interit. Presidenti Masimo Morati, aktualisht jashtë Italisë, konfirmon “sadisfaksionin e plotë për zgjedhjen” dhe, së bashku me gjithë shoqërinë zikaltër, i uron Gasperinit sukseset që e ngjitën Interin te titulli i kampionit të botës. Zyrtarizimi do të vijë sapo të përfundojnë formalitetet e fundit burokratike dhe, me atë rast, do të komunikohet edhe data e prezantimit në një konferencë për shtyp. Gasperini, 53 vjeç, do të firmosë një kontratë dy-vjeçare, do të punojë me stafin zikaltër që është aktualisht në organikë si dhe me dy bashkë me asistentin Bruno Kaneo dhe përgatitësi atletik Luka Truki”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›