Fabrika “Rilindja” prodhon marka të vjetra
Platforma e re e Edi Ramës po zbërthehet si një platformë për të rikthyer në treg markat e vjetra, zisat, lavatriçet dhe monedhat politikisht jashtë standardit, duke i shitur si monedha numizmatike. “Blerjet” e djeshme të “Rilindjes” së Ramës ishin pensionistët Musa Ulqini e Mimoza Hafizi, ndërkohë që alternativa e opozitës ka mbetur tek markat e vjetra dhe tek të rinjtë, që s’klasifikohen dot si marka, prandaj edhe që në rini janë shndërruar në mallra të rivlerësuara.
Rama, sms kërcënuese për deputetët që s’do rikonfirmohen në listën e tij private
Arkeologjia është një temë e preferuar e opozitës së Edi Ramës përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Mimoza Hafizi dhe Musa Ulqini janë dy “zbulimet e reja” të Edi Ramës në listën e kandidatëve të sigurt për deputetë të PS-së. Të dy zbulimet e reja për deputet të PS, Musa Ulqini dhe Mimoza Hafizi në prani të Edi Ramës dukeshin tejet të emocionuar dhe kishin humbur reflekset politike, aq sa u detyruan të lexonin fjalime të përgatitura një ditë më parë.
Produktet politike, nën kosto, të Fatos Nanos po shiten si zbulime të reja të “Rilindjes” së Edi Ramës, në fakt janë marka të vjetra të fabrikës socialiste që kanë vlera numizmatike. Opinioni publik nuk mund të harrojë kurrsesi batutën e Nanos në KPD-në e famshme: “Ti Musa, nuk vlen as sa një lavatriçe”.
Megjithatë që ajo që ra në sy gjatë prezantimit të djeshëm ishte vlerësimi me fjalët më të mira i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për dy zbulimet e reja të listës së sigurt. “Ky është edhe momenti për të nënvizuar respektin për kontributin e një pjesëtari të PS që pavarësisht se në atë kohë u ndje duke iu ngrënë haku i vet nuk doli në rrugën e mllefit në emër të egoizmit e sedrës, por pavarësisht ndarjes me mua në këndvështrime kontribuoi për PS në komunitetin ku jeton. Por edhe më shumë se kaq se lista e deputetëve nuk ndërtohet si stenda e një muzeu, apo kapitulli i një historie”, tha ai.
Ndërsa për Mimoza Hafizin, Edi Rama theksoi se ky emër ka qenë gjatë në strukturat e PS, por hera e parë që kandidohet për deputete. “Nuk u përfshi dhe pse ishte anëtare e PS. Zgjodhi të rrinte në PS jo me mllef”, predikoi Edi Rama.
Padyshim fjalët e mira të Edi Ramës për Musa Ulqinin dhe Mimoza Hafizin kanë të bëjnë me faktin se edhe kur u hoqën nga listat e sigurta të zgjedhjeve parlamentare të 2009 ata nuk folën, heshtën dhe nuk nxorën mllef në media.
Këtë memecëri dhe paburrëri Edi Rama e quan gabimisht besnikëri dhe e përdori si një motiv që t’i riciklojë si kandidatë dhe t’u japë mesazhin deputetëve aktualë që nuk do të jenë në listat e sigurta se po të heshtin dhe të mos dalin më media me mllef do të kujtohet për ta pas katër vitesh.
Dhe për t’u hequr çdo të drejtë kandidimi me partitë e tjera, Edi Rama u ka çuar një SMS-mesazh deputetëve socialistë që nuk ishin në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, praktikisht gjysma e grupit, se duhet të plotësojnë formularin e KQZ-së për listat e kandidatëve.
Deklarata tip e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u kërkon kandidatëve për deputetë të deklarojnë se pranojnë të jenë pjesë e listës së PS për zgjedhjet e 23 qershorit, duke i hequr në këtë mënyrë çdo mundësi kandidimi me ndonjë forcë tjetër politike apo si të pavarur.
Pabesia e Edi Ramës është te kurthi i firmosje së formularit të KQZ duke i vetë-përjashtuar deputetë aktualë të PS, edhe pse kanë vlera politike intelektuale publike, por nuk janë të sinkronizuara me të dhe për këtë arsye nuk duhet të ekzistojnë si qenie politike.
Kjo logjikë e Edi Ramës është një pabesi e madhe, një logjike para-politike me tipare diktatoriale. Kurthi bashkëshoqërohet me pabesinë, si një cilësi e 99-shave që kanë marrë në zotërim të majtën dhe përpiqet të eliminojnë çfarëdolloj dëshmitari, të pranishëm në politikën standarde të dy dekadave të fundi.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: alternativa e opozitës ka mbetur tek markat e vjetra dhe tek të rinjtë, që s’klasifikohen dot si marka, prandaj edhe që në rini janë shndërruar në mallra të rivlerësuara.
Platforma e re e Edi Ramës po zbërthehet si një platformë për të rikthyer në treg markat e vjetra, si Musa Ulqini apo Mimoza Hafizi, që shiten si figura të reja, 24 karat socialiste që tentojnë të mbulojnë katapultimet e jo-socialistëve (Peza, Cara, Kushi, Celibashi, Ziçishti, etj) në vendet e sigurta të listës të PS.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama po krijon një parti personale, ku deputetët e PS në grupin e ardhshëm parlamentar do të jenë produkt 100 për qind e tij, dhe atij do ti detyrohen në besnikëri dhe në shlyerje të nderit.