E Diel, 1 Nëntor 2026

Një lexim pse në të majtë gjejmë vetëm skandale, harbutëri, sherre dhe dhunë

02-05-2013 / Nga Eden Babani

Nëse do t’i përmblidhja me pak fjalë dukuritë kryesore që zotërojnë sot skenën politike shqiptare, do të thosha se skandalet, sherret, harbutëria e dhuna janë tipike në kampin opozitar. Përurime e shpalosje programesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, tipizojnë lëvizjet politike në kampin tjetër.
Fshati që duket, s’do kallauz. Nëse Berisha përuron dita-ditës vepra të infrastrukturës me vlera kombëtare ose vendore dhe shpalos para elektoratit programe për mandatin pasardhës, liderët opozitarë s’po gjejnë kohë të mjaftueshme të mbulojnë skandalet e pjesëtarëve të familjes së tyre politike. Këtë vit zgjedhor, ato janë të hershme. Kanë filluar në janar. Do të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve. Filluan me hajdutëri, vijuan me trafiqe të paligjshme, me shpifje që kanë përfunduar gjithherë te gjobat, me sherre për listat e kandidatëve për deputetë, deri me dhunën fizike të Edi Ramës ndaj diplomatit Ceka, në mjediset e një auditori akademik. Sot e gjithë ditën, lista e bëmave të papranueshme për një parti politike me përmasat e PS-së, sa vjen e zgjatet.
Për fat të keq, ato vazhdojnë ta ndjekin këmba-këmbës gjithë koalicionin prej dyzet e ca partish të projektuar nga kreu socialist, Rama, ndonëse elektorati pret zbërthimin e premtimeve për alternativat qeverisëse të së ashtuquajturës “Rilindje”. Zor se do ta pranonin shqiptarët ndonjë farë lloj rilindjeje që vjen si pasojë e sherreve, e skandaleve, e harbutërisë dhe e dhunës.
Sherri i panevojshëm për KQZ-në, i iniciuar pabesisht prej LSI-së, me shpresë se do të gjente mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, tashmë vjen duke marrë përmasa që do të kenë kosto të lartë për prishjen e imazhit të vendit. Institucioni i administrimit të votës së shtetasve shqiptarë, duket se do të funksionojë i gjymtuar. Një sebep tjetër për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe për t’i shtuar një hallkë të re zinxhirit të bllokimit.
I mbyturi mund të të mbytë, të të marrë me vete. Gjithë tensionin politik që po përjeton opozita, sidomos pas krushqisë me LSI-në, liderët e saj po përpiqen ta zhvendosin nga vetja, ta hedhin gjetiu, në mos në mjedisin e përgjithshëm shoqëror, domethënë mes meje e teje, i nderuar lexues, te kundërshtari politik. Më duken mjaft domethënëse, dy ngjarje ku sherri, harbutëria, dhuna ndaj opinionit publik kanë marrë përmasat e skandalit, kanë synuar të ngrihen në kult. I pari, javën e shkuar, në Komisionin Parlamentar të ekonomisë. I dyti, dje, ditën e 1 Majit, në qendër të Tiranës, madje, mu në trekëndëshin Kryeministri, Presidencë, Kuvendi Popullor, tri institucionet më të larta të qeverisjes së vendit.
Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, mbajtur para do kohe, duket se zonjën Mimi Kodheli, s’e ka nxënë dot vendi pa shkaktuar sherr, tek nguli këmbë që zoti Besnik Çobaj, drejtor i Njësisë së Lojërave të Fatit, të pranonte medoemos se ka evazion fiskal nëpër kazino, ndonëse ai ishte thirrur për të mbrojtur ligjin e ri lidhur me funksionimin e tyre dhe jo të përgjigjej për çfarë t’i vinte në mendje zonjës Kodheli. Si deputete, ajo i ka të gjitha mundësitë dhe mekanizmat ligjore ta thërrasë drejtorin edhe për evazionin fiskal ose për çështje të tjera, po të jetë nevoja, ama pa shkelur me këmbë rregullat institucionale. A thua kaq e paditur të jetë kjo zonjë, kaq vjet deputete e PS-së, për rrugët e ligjshme të marrjes së informacionit që dëshiron nga aksh institucion i administratës shtetërore? Sipas meje, ajo e kërkonte medoemos një shkak, qoftë edhe vulgar, mjaft që t’ia arrinte qëllimit të shkaktonte tension edhe atëherë kur s’ka vend. Ç’emër tjetër, përveçse harbutëri e kërkuar me këmbëngulje, mund t’i vësh reagimit të saj: “Për evazion fiskal ju pyes, mos më bëj mua gër-vër!” S’ia vlen të komentoj etikën e zonjës deputete, e cila, ndonëse iu drejtua zotit Çobaj në shumës (ju pyes), frazën e përfundoi në njëjës dhe harbutçe. Ama ia vlen të shtoj mbështetjen, gjithashtu harbute, që deputeti tjetër socialist, Erion Braçe, i dha koleges: “Ore, çuni, dëgjo këtu! Boll, se u bë baltë tani. O kryetar, se duhet ta bësh ti këtë gjë, jo unë”.
Shumica dërmuese e komentuesve në rrjetet sociale të internetit (përjashto militantët e verbër të së majtës), për veprime të tilla, shprehen me keqardhje, duke iu lutur Zotit që vendin të mos e përmbytë harbutëria, pas zgjedhjeve të ardhshme.
Edhe më i rëndë rasti i djeshëm, kur një i vetëquajtur lider politik i kampit opozitar, bash zot Kreshnik Spahiu, ndonëse jo në koalicionin e Ramës, mblodhi një grusht njerëzish që s’dihet çka i lidh me njëri-tjetrin, dhe i dha vetes të drejtën të premtonte se, pas 23 qershorit “do t’i dhuronte Kryeministrit një jelek antiplumb”. Në kontekst me refrenin “i ndjeri Berisha”, përsëritur prej tij pambarimisht, një deklaratë e tillë përmes një fjalimi të çartallosur publik, pa brendi, por plot vetëlavdërime, slogane kinse atdhetare, sidomos plot kërcënime për sherre me përmasa të paimagjinueshme, duhet dënuar pa hezitim prej çdo shqiptari. Kam bindjen e palëkundur se organet e drejtësisë, duhet të merren me raste të tilla, që të mos përjetojmë një 21 janar të dytë.
Në këto kushte, le t’i urojmë zotit Kryeministër suksese në fushatën elektorale të qytetëruar, që ka ndërmarrë cep më cep Shqipërisë. Le t’i urojmë të presë sa më shumë shirita në rrugën e së ardhmes sonë europiane, - premtime të mbajtura prej tij, prej partisë që i përket dhe prej koalicionit që kryeson - duke na shpalosur projekte të reja, ku e ku më të guximshme sesa të derisotmet. Pas tunelit të Kërrabës, këtë verë, Rruga e Arbrit, sa më parë. Pas saj, projekti TAP, Kaskada e Devollit etj. Neve s’na mbetet tjetër veç t’i thërresim mendjes e të përjashtojmë nga politika shqiptare skandalet, harbutërinë, sherret, dhunën.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›