Fabrika e albanologëve

Për çdo vit, gjatë gushtit, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës mbushet me njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të botës e që kanë vetëm një qëllim: mësimin e gjuhës shqipe. Këtë gjë atyre, për më shumë se tri dekada, ua mundëson Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të mbahet prej datës 13 deri më 25 gusht. Ky është edicioni i 31-të i tij dhe si çdo vit edhe sivjet do të jetë i mbushur me të huaj.
Bardh Rugova, drejtor i seminarit, u shpreh për Express se deri më tash janë mbi 100 pjesëmarrës që kanë konfirmuar ardhjen, por shtoi se ka disa mënyra të ndryshme çka nënkupton pjesëmarrjen në seminar.
“I kemi ata që ne i quajmë mysafirë të jashtëm, mysafirë të seminarit, të cilët janë studiuesit e huaj, të cilët vinë ta mësojnë shqipen ose të mësojnë nivelet e ndryshme të shqipes brenda seminarit. Deri më tash e kemi një listë me mbi 100 pjesëmarrës, të cilët kanë konfirmuar ardhjen, por nga përvoja e kësaj dekade të fundit e dimë se gjithmonë mund të ketë lëvizje brenda asaj liste. Ka njerëz të cilët në momentin e fundit e humbin apo nuk gjejnë biletë për të ardhur e të tjera, sepse ne si seminar nuk i mbulojmë shpenzimet e udhëtimit. Dikujt mund t’i bëhet shtrenjtë bileta. Është një numër ndoshta dhjetë përqind që lëviz brenda numrit që e kemi të konfirmuar”, tha ai.
Rugova shtoi se synim i seminarit janë studiuesit të cilët mund të konsiderohen si investime për albanologjinë.
“Do të thotë njerëz të cilët kanë interesa të merren me albanologjinë në të ardhmen. Ka shumë autoritete të albanologjisë që janë krijuar përmes këtij seminari dhe ne synojmë jo më t’i ftojmë thjesht ata që janë autoritete por të punojmë për të krijuar autoritete të ardhshme të albanologjisë nëpër botë”, u shpreh Rugova.
Si sukses të seminarit Rugova përmendi hapjen e dy departamente të shqipes në Europë. Ai tha se sivjet është hapur një në Hungari, ndërsa vitin e kaluar janë mbajtur kurse të shqipes në Universitetin e Ohajos.
Rugova tregoi se një pjesë shumë e madhe e këtyre vjen prej njerëzve të cilët janë pjesëmarrës të mëhershëm ose edhe të tashëm të këtij seminari.
“Ky është objektivi kryesor. Pjesa tjetër e pjesëmarrjes ka të bëjë me pjesëmarrjen shkencore ta quaj. Njerëz të cilët paraqiten me kumtesa, referime dhe ligjërata. Këtu po ashtu është numri i madh dhe këtu ndoshta si drejtori do të kishim pasur qejf që ta kishim numrin më të vogël. Por është shumë vështirë të refuzohen njerëzit. Aq i madh është numri i studiuesve që kanë dëshirë të marrin pjesë”, tha ai.
Ai shtoi se në momentin kur e bëjnë përzgjedhjen mbështeten në referencat e universiteteve prej nga vijnë, ndërsa shumë më të rralla janë rastet individuale.
“Ka prej shumë vendeve të botës që vijnë. Vitin e kaluar e kemi pasur një numër më të madh të kinezëve, sivjet është paraqitur vetëm një. Do të ketë nga Japonia, SHBA-të, Siria, nga shumica e vendeve të Europës, një numër më i madh është nga Polonia, kjo është për shkak se ky vend ka më shumë universitete ku mësohet ose ballkanistika ose shqipja në veçanti”, tregoi Rugova.
Në rrafshin e pjesës shkencore sivjet është njëqindvjetori i themelimit të shtetit shqiptar dhe drejtoria e seminarit ka vendosur që ta shënojë këtë përvjetor.
“Kemi planifikuar që të bëhet një tryezë për këtë përvjetor dhe kemi dy sesionet shkencore, atë të gjuhësisë dhe sesionin e letërsisë të cilët janë të lidhura me këtë ngjarje. Në sesionin e gjuhësisë do të flitet për studimet gjuhësore shqiptare në 100 vjetët e fundit dhe në sesionin e letërsisë studimet letrare shqiptare në 100 vjetët e fundit”, tha ai.
Përpos këtyre aktiviteteve, sivjet do të mbahet edhe një orë letrare e cila nuk është pjesë e programit. Fjala është për një orë letrare që do të mbahet në nder të poetit Ali Podrimja, që ndërroi jetë para pak ditësh.
“Programin e kemi dërguar në shtyp në fillim të muajit korrik dhe në atë kohë shkrimtari Ali Podrimja ka qenë gjallë dhe ka qenë shumë i interesuar për seminarin dhe rrjedhën e tij. Ndërkohë ai nuk është më në mesin tonë dhe ne do ta mbajmë një orë letrare për nder të tij”, tha Rugova.
Duke folur për sukseset e seminarit, Rugova tha se nuk ka asnjë prej autoriteteve të albanologjisë kudo në botë që nuk ka qenë pjesë e seminarit, ose që nuk e ka mësuar ndoshta fjalën e parë shqipe në seminar.