E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm forca e rikthen veriun

Kosova vetëm me forcë mund ta rivendos autoritetin e vet në veri të Mitrovicë. Ajo, përveç se e ka të vështirë të arrijë konsensusi nacional para dialogut, por edhe sikur të arrihej prapë nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje për atë pjesë të vendit. Kështu mendon Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), pas një studimi të bërë për gjendjen në veri, i cili negociatat politike me Serbinë i sheh si të pashmangshme.

Për KPJ-në, Kosova është humbëse në të gjitha mënyrat ngase është e pabarabartë në këtë raport.

Drejtori ekzekutiv i KPJ-së, Alban Bokshi ka thënë se Serbia në vitet e fundit ka investuar 200 milionë euro në atë pjesë, në infrastrukturë, shëndetësi, ekonomi, duke e vendosur kështu veten si autoritetin e vetëm faktik ekonomik, ndërsa qeveria e Kosovës nuk ka ndikim në atë pjesë.

Bokshi thotë se Serbia është autoritet faktik në veri, përderisa ne jemi jashtë ndërsa ndërkombëtarët hezitojnë ta zgjedhin këtë çështje. Por, sipas tij, nëse Kosova dëshiron të rivendoset në veri atëherë duhet ta përdor forcën.

“Nëse ka ndonjë mundësi që Kosova ta rivendos vetën atje atëherë është përdorimi i forcës, jo dëbimi i qytetarëve atje, jo një aksion Olluja por siç bënë secili shtet për ta konsolidu autoritetin e vet në tërë territorin. Përdorimi i forcës, zgjidhje tjetër nuk ka, por kjo është përjashtuar dhe tashmë e kemi çarmatos vetveten”, ka thënë ai.

Sipas tyre, situata aktuale pamundëson gjetjen e ndonjë zgjidhjeje adekuate.

E për Bokshin, negociatat politike janë të pashmangshme duke e parë ndikim e Serbisë në atë pjesë të vendit tonë.

“Beogradi është faktor në veri të Kosovës. Beogradi është faktor sa i përket rregullimit të problemit të veriut dhe prandaj edhe po kërkon negociata politike. Negociatat janë të pashmangshme dhe nëse shkohet në këtë formë siç po duket që po shkohet, atëherë do të kemi një rirregullim të brendshëm të Kosovës, që do ta prek edhe Kushtetutën e Kosovës edhe kufijtë e jashtëm të Kosovës dhe që nuk garanton sërish që kjo do të jetë zgjidhje finale”, ka thënë ai.

KPJ-ja, ka bërë studimin me qëllimin që të analizojë propozimet e deritanishme të përmendura për veriun e Kosovës dhe të provojë të vijnë në përfundimin se cila mund të jetë zgjidhja për veriun. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›