Facebook dhe Skype, bashkëpunim për videokomunikim

Facebooku bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje me Skype për të shtuar videokomunikimin në rrjetin e njohur social.
Kjo lëvizje shihet si kundërpërgjigje ndaj Google, që së fundi prezantoi rivalin e Facebook-ut, Google+, dhe që gjithashtu ofron mundësinë e komunikimit përmes videokamerës. Skype është në proces blerjeje nga Microsofti, që zotëron gjithashtu një pjesë të mirë të aksioneve të Facebook-ut.
Shërbimi i ri i videokomunikimit u prezantua nga themeluesi i Facebook-ut, Mark Zukerberg, cili bëri të ditur se rrjeti më i madh social në internet ka tashmë mbi 750 milionë përdorues. Por ai theksoi se numri i përgjithshëm i përdoruesve aktivë nuk është më njësi matëse për suksesin e rrjetit. Në vend të kësaj, shpjegoi Zukerberg, kriteret më të rëndësishme që masin ecurinë e faqes janë të dhënat mbi shpërndarjen e fotove, videove dhe lidhjeve.
Shërbimi i komunikimit përmes videos që ofron Facebook-u u mundëson dy përdoruesve të komunikojnë ballë për ballë, ndryshe nga Google+ që lejon komunikimet në grup (të quajtur Hangouts). Sistemi i Google lejon deri në 10 persona të komunikojnë njëkohësisht, kurse ai i Facebook/Skype vetëm dy. Skype ka bërë të ditur se në të ardhmen do të shtohen të tjera lehtësi. Analistët e industrisë e kanë mirëpritur këtë risi, të cilën e konsiderojnë një hap përpara drejt alternativave të reklamimit të produkteve dhe shërbimeve.