Facebook, si shkelet privatësia e shqiptarëve
Komisionerja Çabej tregon për Standard si dhunohen të dhënat personale
Facebook është një nga mënyrat më të shpeshta të dhunimit të privatësisë. Keqpërdorimi i të dhënave personale nga një person i paautorizuar është një problem mjaft i dukshëm, por që shumë pak njerëz e kuptojnë realisht si të tillë. Kështu tregon për standard komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej. Sipas saj, dhunimi i të dhënave ndodh që nga rrjetet sociale deri tek shërbimet e survejancës në banka apo institucione shtetërore. Duke e konsideruar këtë si një problem mjaft shqetësues, ajo tregon dhe pasojat e rënda që ka pasur në disa raste në vende të tjera ky fenomen. Zbatimi i ligjit për ruajtjen e privatësisë, - thotë Çabej, - është i vështirë në një kohë që njerëzit nuk i dinë të drejtat e tyre dhe as kontrolluesit detyrimet. Ndërsa e konsideron si jo të drejtë shqetësimin e deputetëve për deklarimin e pasurive të tyre, ajo shton se duhet treguar shumë kujdes për të ruajtur kufirin mes të drejtës së informimit dhe shkeljes së privatësisë.
Zonja Çabej, cila ka qenë puna juaj nga momenti i ngritjes së këtij institucioni deri më sot?
Ne në këtë periudhë të shkurtër prej 6 muajsh jemi përqendruar kryesisht në hartimin e akteve nënligjore. Në këtë fushë kemi vetëm ligjin me 44 nene dhe është shumë pak që të implementohet ky ligj për më tepër që kjo është një fushë e re. Duke marrë nga eksperienca e vendeve të BE-së dhe duke pasur asistencën e ish-komisionerit çek që ka qëndruar këtu për 3 muaj, kemi hartuar një analizë të ligjit tonë në përputhje me direktivën e BE-së dhe më pas kemi hartuar udhëzime dhe vendime, akte të zyrës së komisionerit duke filluar që nga formulari i zyrës së ankesës, aktet e zyrës së inspektimet deri te vendimet, formularin e njoftimit që duhet të bëjnë kontrolluesit si dhe mënyrës se si duhet ti njoftojmë si kontrolluesit privatë, ashtu dhe shtetërorë.
Cilat kanë qenë problemet e hasura gjatë kësaj kohe?
Mund të themi se nuk është kuptuar ende si duhet ligji. Mbetet ende shumë për të bërë në fushën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të ditur ata të drejtat e tyre në këtë drejtim. Dhe ajo që është dhe më e rëndësishme në këtë drejtim, është dhe ndërgjegjësimi i kontrolluesve në institucione publike dhe private të cilët mbledhin, ruajnë, mbajnë për një kohë të gjatë të dhënat personale dhe i shkatërrojnë në fund, pasi përfundon arsyeja pse i kanë mbledhur. Pra, janë një sërë elementësh të cilët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të ketë një ndërgjegjësim të tërë shoqërisë shqiptare duke filluar dhe në sferat e politikës, administratën publike por dhe në sektorin privat.
Sipas raportit vjetor, i cili u diskutua dhe në Komisionin e Ligjeve, gjatë kësaj kohe janë bërë gjithsej 18 ankesa. Cili ka qenë problemi i përcjellë nga to?
Fakti që nuk ka njohje të ligjit si duhet, ankesat e para që nuk i kemi përmendur në raport kanë qenë një lumë ankesash të tilla, ishin të lidhura me korrigjimin e të dhënave të tyre personale por që i përkisnin gjyqësorit. Fusha jonë mbulon atë pjesë kur të ndryshojnë të dhënat që i ke të sakta. Këtu futet emri, mbiemri, atësia, datëlindja etj. Nëse ti e ke të saktë këtë të dhënë dhe në një dokument tjetër është hedhur e pasaktë, atëherë është faji i kontrolluesit që e ka bërë një veprim të tillë dhe duhet ta korrigjojë në mbështetje të ligjit tonë. Por nëse dokumentin fillestar nuk e ke të saktë, atëherë kjo gjë i përket gjyqësorit. Ne kemi bërë asistentin juridik dhe i kemi drejtuar në gjykatë. Ka pasur dhe ankesa që ka qenë faji i kontrolluesit të gjendjes civile, sigurimeve shoqërore etj. dhe me orientimin tonë pranë kontrolluesit është zgjidhur. Kontrolluesi ka detyrimin që në bazë të ligjit ta korrigjojë këtë gjë brenda 30 ditëve. Nëse kontrolluesi nuk bën korrigjimin e të dhënave atëherë subjekti drejtohet pranë zyrës së komisionarit që detyron kontrolluesin të bëjë korrigjimin.
Ka pasur raste kur ankesat kanë riardhur tek ju pas moskorrigjimit nga kontrolluesit?
Nuk ka pasur raste, sepse është korrigjuar. Ne seminaret e para në të gjitha rrethet e Shqipërisë i kemi bërë pikërisht me zyrat e gjendjes civile për të zgjidhur këto probleme.
Një shqetësim i përcjellë nga shumë qytetarë është dhunimi i privatësisë nëpërmjet Facebook-ut apo rrjeteve të tilla sociale. Ka pasur ankesa të tilla tek ju?
Ka pasur raste ankesash lidhur me Facebook. Dhe është një problem në fakt jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Evropën, siç e përmenda dhe në Komisionin e Ligjeve. Kjo na detyron ne që të bëjmë edhe një fushatë më të madhe. Në Shqipëri nuk ka ndodhur si në vende të tjera në Angli, për shembull, ku dy javë më parë ka humbur jetën një adoleshente, por ka pasur problem. Fakti që operatorët e Facebook-ut nuk ndodhen në Shqipëri, por as në Evropë, bën që kompetenca e komisionerit nuk është aq e fuqishme. Po bëhet një luftë shumë e madhe nga komisioneri i BE-së në lidhje me rrjetet sociale që të vendosen rregulla të forta për mosndërhyrjen në jetën private të personave. Ne kemi orientuar subjektet që kanë ardhur për Facebook-un, duke u kërkuar prova që neve na japin të drejtën ti drejtohemi Facebook-ut për të mbyllur profilin e tyre.
Zonja komisionere, cila është procedura që nga momenti i dorëzimit të ankesës deri në zgjidhjen e problemit?
Ankesat në Shqipëri kanë qenë të tilla që çifte të reja, pasi janë ndarë me njëri- tjetrin, kryesisht djali ka bërë profilin e vajzës, pa dijeninë, sipas saj, dhe ka vendosur fotografi intime për të parë se cilët janë personat që kanë lidhje me të. Siç thashë, nuk kemi prova që të vërtetojë se kjo ankesë e bërë qëndron vërtet kështu, nuk mund të paragjykoj. Mund të jetë vërtet kështu ose mund të ketë qenë dakord në fillim për ta bërë ai profilin. Por përderisa është jeta ime private, askush nuk ka të drejtë të vendosë për të. Në këtë kuadër duhet ndërgjegjësim jashtëzakonisht i madh. Prandaj duam ta kemi median mike, të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë, sepse duhen bërë prezentë këta shembuj, në mënyrë që të bëhen mësim pa pësuar dhe për rininë tonë.
Pra, pasi vjen këtu, bën ankesën, por ndërkohë duhet të paraqesësh dhe provat, më pas?
Vjen këtu dhe së bashku me ankesën duhet të paraqitësh provat, në mënyrë që me provat bindëse ne të orientojmë si duhet subjektin e të dhënave. Nëse paraqitesh me provat në bazë të tyre nga zyra jonë i bëhet një kërkesë qendrës së Facebook-ut dhe i thuhet se personi X pretendon në bazë të këtyre fakteve se i është hapur profili i tij, duke dhunuar privatësinë, prandaj duhet të mbyllet. E mira është që ata që shkelin ligjin duhet të ndëshkohen. Por për të pasur një rezultat më efikas, personat e prekur duhet ti drejtohen prokurorisë, sepse ne nuk jemi gjykatë. Komisioneri anglez ka kërkuar që të ketë dhe masa penale me heqje lirie deri në 2 vjet kur shkelet privatësia.
Sa raste ankesash ka pasur për Facebook-un?
Lidhur me Facebook-un kanë qenë 4-5 raste dhe është vajtur në prokurori, sepse është për të shkuar atje, sepse janë marrë të dhënat personale dhe janë përdorur. Por është shumë e vështirë të vërtetosh se personi me të cilin ti ke qëndruar, e ka hapur këtë adresë me apo pa dëshirën tënde. Pikërisht për këtë duhen vënë rregulla të forta nga vetë rrjeti social, në mënyrë që të mos hyjë kushdo dhe të bëjë profilin e tjetrit, të paktën të bëhet kjo. Pastaj rastet kur unë vetë bëj profilin tim dhe të veproj si krimineli anglez Chapman, i cili dy javë më parë nëpërmjet Facebook-un mashtroi dhe më pas vrau një vajzë, është tjetër gjë.
Por për rastet e abuzimit me vendimet e gjykatave, ka pasur ankesa?
Nuk ka pasur ankesa në këtë drejtim se, siç thashë, ende nuk kuptohet si duhet ligji. Ne duhet të bëjmë një fushatë të madhe ndërgjegjësuese që njerëzit të ndërgjegjësohen në të gjitha fushat. Ne nuk dimë për shembull çfarë bëhet me dosjet e studentëve, sa kohë mbahen, si ruhen. Ky është qëllimi kryesor që vetë kontrolluesit të dijë ti ruaj, ti mbajnë të dhënat në përputhje me ligjin. Kur ata e njohin ligjin,