E Diel, 1 Nëntor 2026

Fadil Maloku: Ky është një atentat në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës!

Fadil Maloku është një prej dy anëtarëve të KQZ-së i cili ka votuar kundër heqjes së logos së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ai këtë veprim të tij e bëri të ditur përmes rrjetit social Facebook-ut për shkak se mediet ishin mashtruar për orën e mbajtjes së mbledhjes së KQZ-së.

Fadil Maloku i pyetur nga “Bota sot” se Pse votuat kundër vendimit të KQZ-së për të hequr logon e Republikës së Kosovës nga fletëvotimet, është përgjigjur: Votova kundër për shkak se në marrëveshjen e 19 prillit e cila parasheh mbajtjen e zgjedhjeve konform ligjeve të Kosovës, heqja e logos së bashku me temën rreth rolit të OSBE-së është në kundërshtim të plotë me këtë marrëveshje dhe si e tillë meqë është antiligjore, antikushtetuese dhe antishtetërore unë nuk e kam mbështetur dhe mendoj se edhe opinionet e ekspertëve ligjor janë në këtë drejtim.

Ndërkaq i pyetur se si e vlerëson vendimin e KQZ-së për ndryshim të logos në fletëvotime, Maloku është përgjigjur: “Vendimi për t’u ndryshuar logoja është shkuar në mënyrë të shpejt nga një përfaqësues i komunitetit serb, në gjuhën serbokroate, i pa përkthyer. Ky vendim nuk ka kaluar nëpër procedurën e këshillit për procedura për të ardhur pastaj “ad hok”. Edhe medieve dje u është bërë një tradhti, për shkak se mbledhja ishte e paraparë të mbahej në orën 11, pastaj është shtyrë në 12 dhe pas kësaj drejtues të KQZ-së kanë thënë se nuk ka mbledhje. Pastaj na kanë ftuar urgjentisht në orën 13.15. Kjo ishte një çmenduri. Kjo është pasojë e gatishmërisë së kryesueses së KQZ-së për të shkuar në Bruksel, pasojat e të cilës po i shohim sot. Është bërë një atentat në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës. Por ky nuk është vendim i gjithë KQZ-së për logon. Vendosën katër minoritete dhe dy përfaqësues të një subjekti që është në qeveri. Unë falënderoj abstenimin e përfaqësuesit të LDK-së, dhe kryesueses, që dëshmon se nëse merremi me numra i bije që mbi 60 për qind ishim kundër vendimit, ndërsa ishin minoritetet ishin ata që vendosën për një atentat në KQZ” ka thënë për “Bota sot” Fadil Maloku, anëtar i KQZ-së. /Indeksoline/ 

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›