Kuçi: Barrikadat do të hiqen
_543379_thumb_large_38607.jpg)
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se pas këtyre bisedave është parë që Komisioni Evropian nuk ka kërkuar diçka më tepër për veriun, por thjesht ka kërkuar angazhime, të cilat janë edhe pjesë e planit të Qeverisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë për Kosovapress se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për atë pjesë të vendit do të jetë jo vetëm në kuptimin e vendosjes së rendit dhe ligjit që është prioritet, por po ashtu edhe për të qenë atraktivë për qytetarët serbë në veri të vendit.
Por, çka nënkupton ky atraktivitet dhe cila do të jetë qasja ekonomike e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit?
“Ju e keni vërejtur që ne kemi ndarë kohë pas kohe donacione të veçanta për atë pjesë. Qëllimi ynë që të jemi atraktivë është që mbi të gjitha qytetarët tanë serbë atje të lidhen me interesa në kuptimin pozitiv me institucionet e Kosovës, ta shohin perspektivën në Kosovë dhe po ashtu të prekin edhe ndihmat dhe përkrahjen që jep Qeveria e Kosovës. Për shkak të gjendjes që ka qenë atje, për 12 vjet me radhë ne nuk kemi qenë në gjendje që të ofrojmë atje qoftë infrastukturë rrugore, shkollore, ndihma ekonomike, apo zhvillim tjetër, qoftë në bujqësi, infrastrukturë, dhe kjo na ka bërë neve që të jemi pak më të largët me ata. Ne do ta rrisim përkushtimin tonë, por fillimisht ka nevojë që të hiqen ata zaptuesit e asaj pjesë, është fjala për disa kriminelë që në emër të një patriotizmi zaptojnë atë pjesë, zaptojnë qytetarët atje dhe mbi të gjitha identifikohen me kontrabandën dhe me shkeljen e ligjit”, ka thënë ai.
Veriu është një punë sfiduese dhe kërkon angazhim, koordinim dhe bashkërendim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, por Kuçi ka thënë se duhet pasur besim në veprimet që marrin institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
“Natyrisht gjithmonë vendimet dhe përceptimi ynë ka qenë që t’i heqim ato barrikada dhe do të hiqen, por mos të lëndohen qytetarët e pafajshëm dhe mos të krijohet përshtypja që kemi ndonjë ndjekje masive ndaj qytetarëve tanë serbë”, është shprehur Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi para një muaji ka thënë se durimit të institucioneve të Kosovës për situatën në veri do t’i vijë fundi, ndërkohë që vazhdon ende të thotë se duhet durim.
“Durimit tonë kam thënë se do t’i vijë fundi dhe e keni parë që pastaj ka pasur veprime edhe të KFOR-it. Prapë po e përsëris se durimin tonë nuk duhet ta keqkuptojë as popullata lokale serbe, nuk duhet ta keqkuptojë as bashkësia ndërkombëtare e as Serbia, por përkundrazi duhet ta merr si kufizim i emocioneve tona, i veprimeve tona, përballë ndjenjave të qytetarëve të pafajshëm. Por ata që janë shkelës të rendit dhe ligjit, unë them të mos rrinë rehat, sepse ne do të jemi veprues, do të koordinohemi me EULEX-in dhe KFOR-in, por gjithsesi do të marrim masa konkrete në zhbllokimin e rrugëve dhe në jetën e lirë për gjithë qytetarët tanë atje”, ka thënë mes tjerash Kuçi.
Komisioni Evropian, përmes Raportit të Progresit të publikuar javën e kaluar ka rekomanduar që të hartohet një strategji gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës, mirëpo Qeveria e Kosovës konsideron se nuk ka nevojë për tjetër strategji përtej asaj që e ka hartuar kohë më parë, por e sheh të nevojshme që vetëm të shtohet angazhimi në sfera të ndryshme, në mënyrë të veçantë në zhvillimin ekonomik të veriut. /kp/