Shpërthen bombola e gazit në lokal, dy të plagosur në Tiranë
Shpërthimi i fuqishëm i një bombole gazi ka plagosur dy punonjës të një lokali në Tiranë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në afërsi të Drejtorisë së Policisë Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët e kësaj zone. Gjithçka ka ndodhur me shpejtësi, ndërsa klientët e lokalit kanë shpëtuar pa u dëmtuar, falë një muri ndarës me pjesën ku ndodhej bombola. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë MAPO-s se dy të plagosurit janë dy punonjësit e lokalit, njëri prej të cilëve ndodhej në kuzhinë dhe tjetri në banak. “Në momentin e shpërthimit, në lokal ka pasur gjithsej gjashtë klientë, të cilët kanë shpëtuar pa asnjë dëmtim, për shkak se me bombolën që shpërtheu i ndante një mur”, - tregojnë dëshmitarë në vendngjarje. Policia ka mbërritur menjëherë në lokalin e dëmtuar, ndërsa menjëherë pas shpërthimit u dyshua se mund të kishte shpërthyer një bombë. Verifikimi i ekspertëve të policisë dhe dëshmia e dy të plagosurve zbardhi menjëherë dhe shkakun e shpërthimit. Bëhej fjalë për një bombol gazi, e cila ka shpërthyer pasi mendohet se ishte në gjendje të papërshtatshme teknike dhe e vjetër. Megjithatë, hetuesit e policisë së Tiranës thanë dje se do të hetonin shpërthimin dhe do të presin rezultatet e analizave që do të bëjnë ekspertët. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i thanë dje MAPO-s se kanë përjetuar një tmerr të vërtetë në momentet e shpërthimit dhe në zonën përreth është krijuar shumë panik, pasi është menduar se bëhej fjalë për ndonjë shpërthim eksplozivi. “Zhurma ishte e tmerrshme. Pamë dhe makinat këtu poshtë që u dëmtuan dhe u goditën sikur të ishte një shpërthim tritoli. Njerëzit filluan të bërtisnin dhe ne u tmerruam, se menduam se ishte atentat. Pastaj kur u afruam pamë disa djem që na thanë se kishte shpërthyer bombola e gazit dhe të njëjtën gjë na tha dhe policia më vonë”, - u shpreh një banor i pallatit pranë lokalit ku ndodhi shpërthimi. Dy punonjës të lokalit kanë pësuar dëmtime dhe plagë në trup, si pasojë e shpërthimit dhe ata janë dërguar menjëherë pas shpërthimit në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekimet e nevojshme. Rreth katër automjete private, të cilat ishin parkuar pranë lokalit ku ndodhi shpërthimi, janë dëmtuar dhe u janë thyer xhamat si pasojë e forcës shpërthyese të bombolës së gazit. Ky është rasti i tretë brenda këtij viti, ku në Tiranë shkaktohen shpërthime si pasojë e bombolave të gazit. Dy raste të tjera të shpërthimit të bombolave janë regjistruar këtë vit në një restorant në kryeqytet, gjatë natës, si dhe një tjetër rast ku shpërthimi ka qenë në një magazinë tregtare, ku shpërthimi i bombolës së gazit ka ardhur pas rënies së zjarrit në magazinë, ndërsa në të tre rastet fatmirësisht nuk është regjistruar asnjë viktimë.