E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Histori: 17 tetor 1979 Nënë Tereza fiton “Nobelin”

Në vitin 1979, kur mori çmimin “Nobel” për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së çmimit “Nobel” më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme, as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për të marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje, këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës, deri në fillim të viteve '90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Madje, kur mori çmimin “Nobel”, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi. Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në mbarë botën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›