Fahri Balliu: Botimi i kujtimeve të ambasadorit Miku, tregues i konstantes që ndiqet në linjën e botimeve të “55”-s
55-a sjell në shqip 50 vjet diplomaci të Mikut të Shqiptarëve
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Shtëpia Botuese "55" promovuan dje librin “Pesë Dekada në Diplomaci: për marrëdhëniet rumuno-shqiptare”, një libër-intervistë me kujtime e Ambasadorit Georghe Micu. Publikimi kryhet në 100 vjetorin e pavarësisë dhe është homazh për fillesën e një miqësie shekullore mes dy vendeve
Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me ambasadën e Rumanisë dhe Shtëpinë Botuese “55”, organizoi dje në mjediset e saj promovimin e librit “Pesë dekada diplomaci” të autorëve Georghe Micu dhe Maria Dobrescu. Karriera diplomatike e Z. Micu është e lidhur ngushtësisht me Shqipërinë, ku ai ka shërbyer si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë për një periudhë gjashtëvjeçare, nga viti 1990 deri më 1996. Libri, i konceptuar si një bashkëbisedim midis gazetares Maria Dobrescu dhe ambasadorit Micu, rrok marrëdhëniet mes dy vendeve për një periudhë shumëvjeçare, ndaj dhe shërben si një dëshmi e vyer e këtyre marrëdhënieve dhe, për më tepër, e lidhjeve tradicionale miqësore midis popullit shqiptar dhe atij rumun. Në takim morën pjesë dhe përshëndetën z.Edmond Panariti, Ministër i Punëve të Jashtme, z.Fatos Beja, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, z.Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, autori, z.Georghe Micu, si dhe personalitete nga fusha e artit dhe e kulturës. Promovimin e këtij libri e hapi Ministri i Jashtëm z. Panariti, i cili vlerësoi punën dhe rolin e z. Micu në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe miqësinë e hershme dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë, çka pasqyrohet edhe në këtë libër. Në mes të tjerash, z.Panariti, tha: "Është kënaqësi e veçantë të promovojmë në Ministrinë e Punëve të Jashtme një libër të rëndësishëm që lidhet me diplomacinë shqiptare, me marrëdhëniet shqiptaro-rumune, me momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Ky është libri “Pesë dekada në diplomaci: për marrëdhëniet rumuno-shqiptare”, bisedë me Ambasadorin Gheorghe Micu, i znj. Maria Dobrescu. Në këtë 100 vjetor të pavarësisë, ky libër sjell në kujtesë, Bukureshtin si vendin ku u frymëzuan rilindasit shqiptarë, si një nga qendrat më të rëndësishme të organizimit dhe përpjekjeve të tyre për krijimin e shtetit të pavarur... Sot, pas 100 vjet pavarësi, Shqipëria dhe Rumania kanë të njëjtin drejtim historik dhe të njëjtat aspirata: integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka besimin e plotë, se aktualisht, Rumania do të jetë një mbështetëse e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Qeveria shqiptare ka vullnetin dhe mbetet e angazhuar plotësisht në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve tanë miq, si dhe për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shumëdimesional shqiptaro-rumun.”, e përfundoi fjalën e tij z. Ministër. Një përshëndetje erdhi më pas, në emër të ambasadorit rumun në Tiranë, i cili vlerësoi jo vetëm librin, rëndësinë e tij, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, por njëherësh rolin e ish ambasadorit Micu, që për disa dekada, në të dy regjimet u bë mik i shqiptarëve dhe luajti një rol të madh në forcimin e zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Një vlerësim erdhi edhe për shtëpinë botuese "55", e cila e solli në shqip këtë vepër që konsiderohet si një traktat miqësie, si një vepër e një rëndësie të veçantë dhe për më tepër faktin që kjo shtëpi botuese ka botuar edhe libra të tjerë nga autorë të shquar rumunë. I pranishëm në këtë promovim ishte edhe ish ambasadori Georghe Micu, i cili i emocionuar, përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit. Në fjalën e tij z.Micu kujtoi edhe një herë miqësinë mes dy popujve, përpjekjet e shqiptarëve në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX për pavarësinë e Shqipërisë dhe evidentoi faktin se Rumania u bë një nga bazat e rëndësishme të kolonive shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në pavarësinë e vendit. Rumania ka qenë ndër të parat që njohën pavarësinë dhe që ndihmuan në ruajtjen e kësaj pavarësie. Z.Micu vlerësoi edhe diplomacinë e sotme, e cila po kontribuon ndjeshëm në forcimin e kësaj miqësie dhe marrëdhënieve të shkëlqyera. Njëherësh, falenderoi botuesin dhe të gjithë ata që ndihmuan për këtë libër të veçantë. Ndërsa botuesi Fahri Balliu, në fjalën e tij vuri theksin tek botimet dhe filozofia e Shtëpisë Botuese "55", duke nënvizuar faktin se botimi i këtij libri si dhe i disa librave dhe autorëve të tjerë të rëndësishëm rumunë është fryt i një bashkëpunimi të shkëlqyer me ambasadorët tanë në Bukuresht dhe veçanërisht me shkrimtarin, publicistin dhe diplomatin Luan Topçiu, i cili falë kontributeve të tij, ka bërë të mundur jo vetëm botimin e autorëve shqiptarë në Rumani,por edhe anasjelltas. Më pas z. Balliu vlerësoi librin dhe kontributin e shquar të Ambasadorit Micu, i cili është bërë simbol i diplomacisë rumune e më gjerë, një personalitet që po jep kontribut me kujtimet dhe vlerësimet e tij për marrëdhëniet mes dy vendeve. Më pas përshëndetën edhe z.Fatos Beja, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, si dhe z.Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian.
(vijon...)
...