E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS-ja e dyzuar për imunitetin, ka koncepte leniniste për Shtetin”

13-09-2012 / Gazeta 55

Flet ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka deklaruar se marrja e statusit të vendit kandidat për në BE është parësore në interes integrimit të Shqipërisë. Nën një prononcim për mediat ministri i Mbrojtjes Imami ka theksuar se heqja e imunitetit ndikon në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe se është e papranueshme qëndrimet e Partisë Socialiste, që sipas tij, janë qëndrime të dyzuara. “Ne duhet të bëjmë atë që duhet për të arritur këtë qëllim, të bindur se, ajo çka na kërkohet nuk është thjesht e kërkuar, ne e kërkojmë së bashku. Po flasim për çështjen e imunitetit, e cila është një nga çështjet themelore që do të ndikojë në vlerësimin e Shqipërisë në tetor. Ne jemi të bindur sepse kemi një fushatë tashmë 10 vjeçare që imunitetet në Shqipëri do të duhen të kufizohem, duke ecur në mënyrë paralele e proporcionale, por progresive me rritjen e të gjitha garancive për një sistem a proces gjyqësor të rregullt, ku respektohet liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e besimit fetar, etj. Nën fund të fundit imunitetet janë institucione që kanë lindur në këto kushte: të mungesës së këtyre lirive, si një garanci”, theksoi ministri Imami.
Sipas tij, çështja e imuniteteve është një çështje e debatuar, e trajtuar e konsultuar gjerësisht me publikun, dhe bashkëvendosur me misionet këshilluese të Bashkimin Europian, Paca dhe Euraliues. PD-ja ka qëndrimin e saj të shpallur, ndërsa qëndrimet e Partisë Socialiste për imunitet, sipas ministri Imami, janë ambige (të dyzuara).
“PS-ja ka qëndrime ambige. Megjithëse kemi një draft të përbashkët për kufizimin e imunitetit të arritur me konsensus që ka mbetur vetëm pa u votuar, nuk është e qartë nëse do të kemi një votë ‘pro’ të kushtëzuar apo një votë ‘pro’ të pa kushtëzuar. A do të ketë një votë ‘pro’ për amendamentet për të cilët është i gatshëm në Parlament apo do të kushtëzojë votimit me shqyrtimin e amendamenteve që ka çuar PS-ja?”, ka nënvizuar ministri Imami. 
Ndërsa për perceptimin që ka opozita për ndryshimin e krerëve të institucioneve kushtetuese, kreu i dikasterit të Ushtrisë është shprehur se, “ky sistem nuk është ngritur në mënyrë të njëanshme, ky është një sistem që e kemi ngritur së bashku me Partinë Socialiste, nuk mund të ankosh për një sistem që e ke ngritur vetë. Nuk është një sistem që është antidemokratik, është një sistem që ka si simotër apo sivëlla të vendeve europiane. Nëse për çështjen e imuniteteve nuk kemi opinione të ndara sepse kemi konsensus për një standard të vlefshëm për PS, ndërsa kjo që kërkon PS-ja është një çështje e ndarë nga imuniteti”.
E pyetur nga mediat nëse mosvotimi brenda shtatorit i ligjit të kufizimit të imunitetit, ministri Imami ka thënë se “kostoja do të ishte e lartë , duke bërë një analogji me sjelljen politike të Edi Ramës, nëse do të nisemi me 2 vjet qëndrime politike obstruksioniste të Partisë Socialiste duhet të themi që ‘jo’, ne nuk do të shkojmë drejt një votimi konsensual të ligjit të imuniteteve. Por ka elementë që votim i disa ligjeve, sipas analogjisë së votimit të kodit zgjedhor me 3/5 që në japin shpresë se mund të shkojmë drejt votimit. Pra, ne jemi në një situatë ambige (të dyzuar) në përgjithësi që prej marrjes së PS nga kreu aktual dhe në veçanti që pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, është një model kundërthënëse. Kjo parti është e papjekur”.
Në lidhje me çështjen e Prokurorin e ri të Përgjithshëm, ish-bashkëhartuesi  i Kushtetutës  Imami ka nënvizuar se mbi të gjitha, “Prokurori do të zgjidhet në rrugë kushtetuese”.
Ai është prononcuar edhe për afatet e mandatit të kryeprokurorit, duke thënë se qëllim i ligjvënësit ka qenë që mandati të jetë 5 vjeçar dhe se prokurorja e përgjithshme është në detyrë nga viti 2007.
“Së pari, Kryeprokurorja e Përgjithshme nuk është zgjedhur në vitin e ndryshimeve kushtetuese të 2008, por në vitin 2007. Dhe qëndrimi i ligjvënësit në këtë rast ka qenë për ta limituar mandatin në 5 vjet. Që do të thotë mbi 5 vjet nuk ka qenë qëllim i Ligjvënësit e për më tepër ligjvënse në raste të këtilla vë klauzola të posaçme, që për shembull: mandati i sotëm shkon për kaq ditë dhe respektohet ky vendim, Kjo çështje sapo është hapur dhe do të diskutohet nga partitë politike sepse është një cështje konstitucionale duke ballafaquar mendimet që publiku të kuptojë vendimet”, u shpreh ministri Imami.
Ministri Imami ka theksuar se është Presidenti i Republikës që vendos për propozimet e gjyqtarëve të gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese.
“Nuk është se PD-ja do të bëjë një mbledhje të byrosë dhe do të vendosë që filani do të shkojë kryetar i Gjykatës Kushtetues e apo fisheku do të bëhet kryeprokuror i Përgjithshëm. Ky banalizim i opozitës për shtetin është një koncept tipik leninist, ku shteti perceptohet si një aparat dhune, ku ngrihen fantazma të së shkuarës nga aktorë që ishin dhunues dhe tani i përjetojnë në mënyrë mazohiste”.
Në përfundim ministri Imami ka deklaruar se PD-ja shkon në pushtet me rritje ekonomike 4 herë më të madhe se vendet e rajonin,  dhe në mandatin e fundit janë bërë punë të mëdha, të pabesueshme katër vite më parë. Në fund të këtij mandati PD-ja do të ketë bilancin e qeverisjes, ofertën e programit dhe energjitë e reja. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›