Vritet në krye të detyrës shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj
Policia identifikon autorët, po punon për kapjen e tyre
UPDATE- “Është ekzekutuar me breshëri plumbash automatiku shefi i Komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj”. Ngjarja ka ndodhur në Rrushkull pranë Sukthit dhe nga burime në vendngjarje mësohet se shefi i komisariatit të Shijakut ka qenë duke i bërë kontroll një automjeti të dyshimtë, kur drejtuesi i tij ka shtënë me armë. Tahiraj ka qenë në mjetin e tij kur i ka bërë shenjë të ndalojë mjetit të dyshimte, por drejtuesi i tij nuk ka dhënë aspak kohë, por ka nxjerre armën dhe ka qëlluar mbi të.
Nga informacionet paraprake mësohet se Tahiraj ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi ka pasur mbi 7 plumba në trup, ndërsa mësohet se ka mbetur e plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Sipas burimeve zyrtare, nga të dhënat paraprake mësohet se Tahiraj po kryente një operacion me targa të huaja. Drejtuesi i automjetit që u ndalua ka patur edhe bashkëpunëtorë, të cilët dyshohen se kanë dalë nga pas makinës dhe kanë qëlluar nga një rreze 3 kilometër.
Policia e Durrësit ka identifikuar autorët e ngjarjes dhe automjetin me të cilën janë larguar dy autorët e identifikuar. Sipas policisë mjeti më të cilin janë larguar është një Benz i bardhë me targa VG 140 TC.
Një automjeti i braktisur është gjendur pranë një vile trekatëshe të pabanuar, për të cilën policia dyshon se mund të jetë e njërit prej autorëve.
Aktualisht trupi i pajetë i kryekomisarit Tahiraj është nisur në morgun e spitalit, ndërsa kalimtarja që ka mbetur e plagosur, sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërkohë që drejtues të lartë të Policisë dhe forcat RENEA ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet e kësaj vrasjeje, si edhe janë ngritur postblloqe në të gjithë vendin për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Janë 7 patrulla policie në terren të cilat po kryejnë kontrollet për kapjen e autorëve, Aktualisht janë dy persona të dyshuar për ngjarjen. Policia e Durrësit ka bërë shumë shoqërime, ndërkohë që janë intensifikuar hetimet dhe janë shtuar trupat në terren.
Aktualisht po kontrollohen banesat ku mendohet se strehohen bashkëpunëtorët e autorëve, ndërsa janë kontrolluar 7 banesa tek të afërm dhe të dyshuar të vrasjes. Autorët dyshohen se janë larguar me një nga automjetet
Dëshmitarja: Vrasja pas një konflikti të çastit
Lene Ndokaj 64 vjeçarja e plagosur ka dhënë dëshminë e saj ku sipas saj vrasja ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Sipas saj ka qenë një debat i fortë mes shefit të komisariatit dhe autorëve, i cili ka zgjatur pak minuta dhe në momentin kur ka dalë për të parë se fare po ndodhte ka dëgjuar të shtënat. Ajo konfirmon se Kryekomisari ka qenë brenda në makine kur është qëlluar me breshëri armësh, ndërsa nuk ka dhënë asnjë version për njohjen e tyre.
Reagimi i Policisë së Shtetit
“Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Paralelisht, grupi i ekspertëve të hetimit ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Në vijim do ju bëjmë me dije të dhëna të plota mbi ecurinë e hetimeve mbi këtë akt
Kriminal”.
Kush është Adem Tahiraj?
Kryekomisari Adem Tahiraj ishte i datëlindjes 1 shtator 1963,lindur në Kërrnajë te Tropojes, banues në Tiranë, i martuar baba i tre fëmijëve 2 vajza një djalë.
Mbante gradën kryekomisar, më parë ka qenë komandant i njësisë speciale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ka patur një karrierë 20 vjeçare në Polici, ka qenë pjesë e operacioneve të Antidrogës dhe personave në kërkim.
Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe Gradën Kryekomisar.
Prefekti, Alizoti: Vrasja e tipit mafioz tronditi jo vetëm Durrësin
Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti e cilëson këtë ngjarje të tipit mafioz dhe thekson se autoritetet duhet të marrin të gjitha masat për kapjen e autorit.
“Nuk do ta quaja rastësi, por një ngjarje të tipit mafioz, të rëndë dhe shokuese”- deklaroi Alizoti, i cili tha se ka mbetur e plagosur edhe një grua, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më tej prefekti pohon se Tahiraj ishte shumë i qetë edhe në takimin e para dy ditësh që ka patur me të.