Faik Konica, ashtu si nuk e kemi njohur
Askush nga njerëzit e trupit diplomatik në Uashington, nuk është më i njohur dhe më i pëlqyer se Faik Konica, Ministër i Shqipërisë- kështu shkruan më 1 prill të vitit 1934 “Uashington Post”. Ilir Ikonomi, gazetari i ‘Zërit të Amerikës’ ka promovuar dje në mjediset e Hotel ‘Tiranës’ librin e konceptuar si një biografi intime e Faik Konicës, gjatë kohës që ai përfaqësoi Shqipërinë e Zogut në Uashington, nga viti 1926-1939, e deri sa vdiq më 1942. Ikonomi është bazuar në dokumente të rralla dhe gazetat e kohës që ai ka shfletuar në arkivat amerikane, britanike dhe shqiptare. Libri hedh dritë mbi marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet e Konicës me qeverinë e SHBA-në, miqësinë dhe polemikat mes Konicës dhe Nolit, komunikimet e Konicës me italianët gjatë luftës etj, si dhe jep një vështrim të rrallë mbi jetën personale të Konicës në Uashington. Historia e librit nis që në kopertinë, ku autori ka zgjedhur një fotografi historike për Shqipërinë. “Unë bashkë me botuesin e librit, zotin Bujar Hudhri të shtëpisë botues “Onufri”, kemi zgjedhur për kopertinën e këtij libri një fotografi të Faik Konicës, që është shkrepur më 7 prill të vitit 1939, ditën e pushtimit fashist. Kjo fotografi është botuar në gazetën e ‘Nju Jork Times’, një ditë më vonë, më 8 prill të 1939 dhe nuk është ribotuar kurrë më. Është hera e parë që ne po e risjellim këtë foto edhe për shqiptarët” - thotë autori i librit, Ilir Ikonomi, i cili rrëfen ndërkohë kërkimet e tij në arkivat amerikanë dhe çfarë zbuloi atje për eruditin, Faik Konica.
Kërkimet në arkivat e Amerikës
Ai është i pari që ka shfletuar në arkivat amerikanë, për të zbuluar jetën e një figure të madhe të historisë së Shqipërisë, si Faik Konica. “I hyra kësaj pune drobitëse në fakt dhe kërkova në gjithë arkivat e mundshme që ka Amerika. Kërkova kryesisht në Arkivin Kombëtar Amerikan, ku janë ruajtur dokumente që janë të pabesueshme dhe nuk mund ta besoj se unë kam qenë i pari që i kam shfletuar. Kam kërkuar në arkiva të tjerë në Boston, në Kishën e Shën Gjergjit, në Nju Jork, por dhe në arkiva të tjera më pak të rëndësishme. Kam kërkuar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, më e madhja në botë, dhe aty kam gjetur gazeta të vjetra të të gjitha viteve, duke filluar që nga vitet 20, deri më 1942, dhe jam mahnitur nga diçka; Si ishte e mundur që gazetat më të mëdha të asaj kohe kanë shkruar kaq shumë për një shqiptar, siç ishte Faik Konica”. - Na jep disa detaje të punës së tij kërkimore gazetari Ilir Ikonomi. Por përse shkruhej kaq shumë për Konicën në shtypin e kohës. Perceptimi i vetë autorit që ka kërkuar në këto arkiva është shumë i thjeshtë; Faik Konica ishte një figurë e madhe, ku të gjithë mësonin. “Shkruhej për dy arsye; e para sepse ishte figurë shumë e madhe e shqiptarëve. Ai njihej thjesht me emrin Faik mes shqiptarëve. Nëse t’i thoshe Faik, dihej se për kë bëhej fjalë. Ishte gjithashtu një nga diplomatët më të mirë të Uashingtonit nga të gjitha pikëpamjet. Nga ai mësonin të tjerët, shumë vinin ta takonin për t’u këshilluar me të. Dinte gjithçka për historinë e Shqipërisë, por edhe për historinë e botës. Ky njeri merrte vesh nga veshjet, jo vetëm nga ato shqiptare, por nga veshjet e gjithë botës. Ky njeri fliste edhe për muzikën dhe unë kam parë nëpër gazeta që Faik Konica merrej të fliste edhe për muzikën, madje ai ftohej në qarqet e Uashingtonit të fliste edhe për këtë. Ai ishte erudit, një njeri i jashtëzakonshëm dhe këtë e dinte sekretari Amerikan i Shtetit dhe pastaj edhe zyrtarët më poshtë tij. Ai i kishte miq të gjithë ata dhe i takonte shpesh”.
Konica dhe Mbreti Zog
Ideja se Faik Konica ka qenë një mbrojtës gati-gati servil i Mbretit Zog, sipas autorit Ilir Ikonomi, nuk qëndron. Ai argumenton se Konica ka pasur një tjetër arsye shumë më madhore në mbrojtje të mbretit Zog. “Faik Konica mbronte shumë Zogun dhe shumë e kanë parë si një lajkatar, deri dhe servil. Në fakt, ai ka pasur disa kontradikta me Zogun. Në fund, ata u pajtuan, madje kur ka vdekur Faik Konica, më 15 dhjetor më 1942, Zogu dërgoi një kurorë shumë të madhe dhe unë kam gjetur në një arkiv të Londrës se Zogu ishte i dëshpëruar për vdekjen e tij më shumë sesa për të të vëllait. Gjatë jetës së tij në Uashington, është i zbuluar fakti se Faik Konica e mburrte shumë Zogun në publik, por në fakt në qarqet shqiptare ai fliste keq për të. Ndërkohë që në publik, ai e ngrinte lart figurën e Mbretit të shqiptarëve. Këtë e bënte për një qëllim të vetëm: Zogu përfaqësonte shtetin shqiptar që po konsolidohej. Dhe Faiku dëshironte që njerëzit në botë të merrnin vesh që ka një shtet shqiptar, një komb shqiptar të konsoliduar dhe ky shtet shqiptar ka kreun e vet, që është Mbreti Zog” - argumenton Ikonomi tezën e tij.
Marrëdhëniet me Nolin, urrejtje-dashuri
Autori nuk i shmanget as në këtë rast profesionit si gazetar. Thotë se në atë që ka shkruar rreth marrëdhënies mes Faik Konicës dhe Fan Nolit, nuk ka mbajtur anën e asnjërit, por ka sjellë thjesht atë që ka zbuluar nga arkivat, rreth marrëdhënies mes dy figurave të shquara shqiptare. Një merak që ai do t’ua thotë edhe lexuesve. “Në libër ka mjaft dramë, ku përshkruhen edhe marrëdhëniet e tij me Fan Nolin, të cilat kanë pasur uljet e ngritjet e tyre. Faiku e quante Nolin bolshevik dhe komunist, madje në një moment ai ngul këmbë që Noli të mos lejohej të shkelte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë ide të tij filluan ta përkrahnin edhe disa zyrtarë amerikanë, duke argumentuar sipas tyre se nuk duhej të futej në SHBA një komunist si Noli. Por për sa kohë këto marrëdhënie ishin të acaruara po aq ata të dy u bënë miq shumë, shumë të mirë. Të gjitha këto përshkruhen në këtë libër”, - thotë Ikonomi
Aristokrati Faik Konica
Atij i pëlqente të vishej mirë, të hante mirë e të bënte një jetë mondane. Ishte aristokrat në kuptimin e mirë të fjalës. “Libri ka edhe një dimension tjetër dhe ky është dimensioni i Faikut si njeri, si qënie njerëzore. Thonë që ishte aristokrat dhe ashtu ishte vërtet në kuptimin e mirë të fjalës. Ai ishte i mendimit se duke u veshur mirë, duke ngrëne mirë dhe duke folur mirë përpara të tjerëve, ai do të transmetonte një imazh pozitiv për Shqipërinë”.