E Diel, 1 Nëntor 2026

Faith: Jo ndarje të Kosovës. Zgjidhja për veriun, plani Ahtisari

Ndërsa Kosova e përmbylli me sukses mbikqyrjen e pavarësisë ish shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë Piter Faith thotë se nuk do të ketë një ndarje të Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Faith tha se ndarja e Kosovës do të sillte një destabilitet në rajon.
 

“Vendet, të cilat e mbështesin Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, Turqia, Zvicra dhe Norvegjia e kundërshtojnë me vendosmëri ndarjen. Është një opsion për të cilin nuk duhet të shpenzojmë shumë energji. Nëse do të ketë ndarje, ajo do të jetë shumë destabilizuese për mbarë rajonin, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, sepse do të vihet në pikëpyetje Lugina e Preshevës dhe natyrisht ndarja mund të jetë destabilizuese edhe për Maqedoninë” shtoi ai.

Për ish shefin e zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë zgjidhja e vetme për veriun është zbatimi i plotë i planit të Ahtisarit.
 

“Zgjidhja politike për veriun duhet të gjendet brenda parametrave të planit Ahtisari. Plani Ahtisari është shumë specifik në lidhje me të drejtat e komuniteteve përfshirë komunitetin serb dhe ne kemi bërë përparime të mira në fuqizimin e komunitetit serb në jug të lumit Ibër dhe e njejta gjë mund të bëhet për sërbet në veri të lumit Ibër. Unë gjithashtu do të thoja se është e rëndësishme që gradualisht të vendoset qeverisja dhe të vendosen lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunitetit në veri” shtoi Faith.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›