Vlorë, arrestohen babë bir, u kapën me drogë dhe armë

Babë e bir janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia e Vlorës pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, në sajë të operacionit të koduar "Vodica" janë arrestuar Enver dhe Ledion Sevaj, përkatësisht 52 dhe 21 vjeç, të dy lindur e banues në fshatin Vodic të Komunës Kotë të Rrethit Vlorë.
Arrestimi i tyre u krye pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre janë gjetur 5.820 kg lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit "Canabis sativa" të futura në nje thes të bardhë, 25 rrënjë lënde bimë narkotike të cilat ndodheshin në oborrin e banesës dhe një armë zjarri tip automatik mod 56 (kallashnikov) të cilën e posedonin pa leje.
Ndërkohë materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".