Fajëson shtetin
Udhëheqësit e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) pranojnë se ky sport ka rënë viteve të fundit. Por, ata kujtojnë se nuk është vetëm hendbolli në gjendje të rëndë. Sipas tyre, në krizë të madhe janë të gjitha sportet e Kosovës.
Për këtë fakt, kryetari i FHK-së, Mexhit Devaja, fajëson institucionet shtetërore që nuk po ndërmarrin kurrfarë masash për ta nxjerrë nga kjo situatë sportin kosovar. Ai kujtoi se institucionet më të larta të Kosovës akoma nuk e kanë rregulluar infrastrukturën ligjore për sport.
Sipas tij, mungesa e Ligjit për Sportit dhe ai për Sponsorë po ndikon që hendbolli, dhe në përgjithësi sporti kosovar, dita-ditës të shkojë tatëpjetë.
“Nuk është vetëm hendbolli në krizë. Situatë krejtësisht e njëjtë është në të gjitha sportet e Kosovës. Kjo dëshmon se problemi qëndron tek institucionet shtetërore e jo te federatat. Shtetit i takojnë t’i bëjë ligjet e jo federatave. Mungesa e Ligjit për Sport dhe Sponsorë ka bërë që sporti ynë të vjen në këtë situatë”, deklaroi Devaja për Express.
“Mos të harrojmë se donatorët janë lodhur duke derdhur para në sport, kurse nuk përfitojnë asgjë në mungesë të ligjeve. Ata donatorë që janë sot në sport, janë aty vetëm nga dashuria që e kanë për sportin”, u shpreh ai.
Pas luftës, e posaçërisht pas pranimit të FHK-së në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), ky sport pati bërë ‘bum’ në vendin tonë. Por, shpejt situata filloi të ndryshojë për të keq. Viteve të fundit hendbolli kosovar secilën herë po futet në krizë më të thellë. Disa klube tashmë veç janë shuar dhe fati i njëjtë mund t’i përcjellë edhe klube tjera, në mesin e tyre edhe klubin më të famshëm kosovar të hendbollit, Kastriotin.
Ky fakt e mundon mjaft Devajën. Por, ai thotë se federata të cilën ai udhëheq nuk ka çfarë të bëjë përball kësaj situate, sepse sipas tij, vetëm intervenimi i shtetit mund të ndikojë.
“Si federatë nuk mund të ndikojmë nëpër klubeve. U takon vetë klubeve organizimi i tyre. Ne si federatë kemi punuar maksimalisht, duke u ndërkombëtarizuar, dhe e kemi bërë të mundur që gjashtë klube tona të garojnë në Evropë”, pohoi ai.
“Ky është stimulimi më i madh për donatorët, qytetet e Kosovës dhe tifozerinë që ta kthejnë kokën kah hendbolli. Por, ne nuk miratojmë ligje për t’i mbrojtur ata. Ligjet i miraton Parlamenti”, vazhdoi Devaja.
Por, ai premtoi se do të bëjë trysni akoma më të madhe në Qeverinë e Kosovës që sa më shpejt ta rregullojë infrastrukturën ligjore.
“Aktualisht institucionet shtetërore nuk janë funksionale. Sapo të bëhen institucionet e reja do ta inicioj bashkë me federatat tjera një presion më të madh në Ministrinë e Sportit që të bëhen urgjentisht ligjet. Shteti duhet të ndërmerr masa ose po e lëmë sportin”, tha Devaja.
Ai pohoi se ka kaluar koha kur komuniteti sportiv i Kosovës ka bërë çmos që ta mbajë ‘gjallë’ sportin në vendin tonë. Sipas tij, tani ka ardhur koha që me ndihmën e institucioneve të zhvillohet sporti.