S’na njeh Maqedonia
Edmond Azemi nuk do të mund të debutojë të dielën me fanellën e Lirisë, në ndeshjen e kthimit për Kupën e Maqedonisë në basketboll kundër MZT Skopje.
Kjo, pasi Federata e Basketbollit e Maqedonisë (FBM) ka refuzuar ta regjistrojë Azemin si përforcim të ri të Lirisë, ndonëse kjo skuadër shqiptare e kishte dërguar dokumentacionin e rregullt për ta regjistruar reprezentuesin kosovar, i cili kishte fletë-lëshim nga Sigal Prishtina dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Në fakt, FBM-ja ka kërkuar nga Liria që për Azemin të merr fletë-lëshim në Federatën e Basketbollit të Serbisë (FBS).
“Një gjë të tillë drejtuesit e Lirisë e kishin kërkuar menjëherë në Beograd, mirëpo përgjigja e tyre ka qenë se Edmond Azemi nuk figuron në Federatën serbe dhe se një gjë të tillë duhet kërkuar në Kosovë”, raporton Alsati i Maqedonisë, sipas të cilit drejtuesit e Lirisë janë revoltuar nga situata e krijuar.
Kjo do të thotë se FBM-ja vazhdon të mos e njohë FBK-në, ndonëse Kosova njihet si shtet nga Maqedonia. Kjo sjellje e drejtuesve të basketbollit maqedonas i ka zhgënjyer edhe drejtuesit e basketbollit kosovar.
“FBM-ja nuk po na njeh federatën tonë, duke mos e pranuar dokumentacionin tonë që ia kemi lëshuar Azemit. Kurse, ne vazhdimisht e kemi pranuar dokumentacionin e Federatës maqedonase, kur në Kosovë kanë ardhur lojtarë maqedonas. Kjo sjellje e tyre mund të jetë shumë e dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve”, deklaroi për Express nënkryetari i FBK-së, Artan Rugova.
Ai është befasuar me këtë sjellje të drejtuesve të basketbollit maqedonas, për të cilët thotë se në vitin 2007 kishin pranuar dokumentacionin që FBK-ja ia kishte lëshuar Azemit dhe Florian Miftarit, të cilët kishin përforcuar MZT Skopjen.
“Atëherë Kosova nuk ishte fare e shpallur shtet dhe na njihnin. Kurse tani jemi shtet, i njohur edhe nga vetë Maqedonia dhe federata e saj nuk na njeh. Kjo është e pakuptueshme dhe e dëmshme”, theksoi ai.
Por, këtë sjellje të FBM-së, Rugova e arsyeton me faktin se udhëheqësit e saj vazhdimisht aplikojnë politika kundër klubeve shqiptare të Maqedonisë.
“Ka individë aty të cilëve u pengon zhvillimi i klubeve shqiptare të Maqedonisë. Nuk duan që ekipet shqiptare të dominojnë në basketbollin maqedonas, dhe nuk duan që ndonjë basketbollist kosovar apo nga Shqipëria të luajë për ekipet shqiptare të Maqedonisë. Thjesht, i pengon basketbolli mbarëshqiptar dhe kjo është e dëmshme për vetë maqedonasit”, u shpreh Rugova, i cili njëherësh është drejtor i Sigal Prishtinës.
Ai theksoi se nëse Liria, e cila synon kualifikimin në garat e play-offit të Maqedonisë, në ditët e ardhshme nuk do të mund ta regjistrojë në FBM Azemin, atëherë reprezentuesi kosovar do të rikthehet në Sigal Prishtinë.