Kastrati: Zgjedhjet të zhvillohen në një atmosferë tolerante
Rreth mesditës vërehet një numër më i shtuar i mitrovicasve të cilët kanë dalur nëpër qendrat e ndryshme të votimeve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Mitrovicë.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka votuar rreth orës 10.00 në qendrën e votimit në Shkollën “Ismail Qemali”.
Ai ka thënë se Mitrovica padrejtësisht ka shkuar në rivotim dhe se Mitrovica do të dëshmojë edhe njëherë shembull, si për Kosovën ashtu edhe karshi ndërkombëtarëve.
“Mbi të gjitha zgjedhjet të zhvillohen në një atmosferë tolerante, të jenë të lira, demokratike, sepse këtë e pret Kosova, dhe këtë e presin ndërkombëtarët”, ka porositur Kastrati, siç transmeton Kosovapress.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në largim, Bajram Rexhepi, ka votuar rreth orës 11.00 në qendrën e votimit në Shkollën “Abdullah Shabani”.
Ai ftoi qytetarët që përkundër motit të lig, të dalin dhe të përmbushin obligimin e tyre qytetar, duke shprehur bindjen se procesi zgjedhor do të shkoj si duhet dhe pa probleme.
“Ne jemi përcaktuar se do t’i respektojmë vendimet e institucioneve tona të pavarura. Arsyetimi që ka qenë nga Gjykata Supreme për llamba dhe sprej, për fat të mirë sot shihet se po funksionojnë dhe pavarësisht na pëlqen apo s’na pëlqen, ne do t’i respektojmë vendimet e institucioneve”, ka thënë Rexhepi, duke shprehur bindjen se komisionarët dhe vëzhguesit do ta kryejnë punën e tyre me korrektësi dhe vota e qytetarëve, si dhe vullneti i tyre nuk do të tjetërsohet.