E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon e Pack: Lajme të mira për statusin, nëse ka dialog

Megjithëse vendimi merret në tetor, dhe ka pak shanse që të arrihen 12 kriteret e vendosura, për eurodeputeten Tanja Fajon, mund të ketë lajme të mira për Shqipërinë, nëse palët dialogojnë midis tyre.

“Për Shqipërinë dihet se deri tani ka pasur shumë shqetësime. Tani shpresoj se dialogu në Parlamentin shqiptar, vendi i punës për deputetët e zgjedhur me vote nga populli, do të ndihmojë për të përshpejtuar integrimin evropian të Shqipërisë. Nuk dua të bëj spekulime si do të jetë progres-raporti i Komisionit Evropian të këtij viti. Kjo është detyra e Komisionit Evropian. Parlamenti Evropian vëzhgon e ndihmon politikanët e Shqipërisë. Nëse Shqipëria tregon pjekuri me dialogun politik, mund të ketë lajme pozitive, por kjo është përgjegjësi e politikanëve dhe duhet të presim frutet e asaj që bëjnë”,  tha Fajon.

Ndërsa eurodeputetja gjermane, Doris Pack, thekson se tashmë palët duhet të përkushtohen në agjendën e integrimit. “Kurrë nuk është vonë për të bërë mirë. Nëse tani ata fillojnë bashkëpunimin, kjo tregon korrigjim dhe kjo është gjë e mirë. Nëse ata nuk do të fillonin tani, atëherë kjo do të ishte diçka e çuditshme, por ata nuk janë aq të papërgjegjshëm. Ata e kanë kuptuar që nëse duan të  mbështeten nga Bashkimi Evropian dhe Komuniteti Ndërkombëtar duhet të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga populli. Për mua, ky është një fillim i ri, pse jo një epokë e re dhe të dyja palët duhet të fillojnë tani të zbatojnë agjendën evropiane”, tha Pack. Të njëjtin apel bëri një ditë më parë edhe kreu i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, i cili përveçse përshëndeti hyrjen e opozitës në Parlament, apeloi që palët të bashkëpunojnë për reformat. /Start/

                                                                                             2011-09-07 16:52
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›