Faketi, bisedë me Bergamon: Arbitri Bertini, vendimtar
Në emisionin “Matrix” të “Mediaset”, ku është folur për “regjistrimet e lëna në harresë” dhe për faktin se nevojitet një hetim i ri për skandalin “Calciopoli”, u publikua një tjetër telefonatë komprometuese e Interit. Biseda është zhvilluar sërish ndërmjet ish-presidentit zikaltër, Xhaçinto Faketi dhe disenjatorit të gjyqtarëve, Paolo Bergamo. Ishte 11 maji i vitit 2005, ndërsa pak orë më pas do të zhvillohej gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Italisë ndërmjet Kaljarit dhe Interit. Pa shumë lojëra fjalësh, Faketi i ka kërkuar Bergamos që të paralajmërojë Bertinin (gjyqtarin e atij takimi) rreth faktit sesa e rëndësishme ishte ndeshja që do të luhej të nesërmen me Kaljarin. Në ndeshjet që ai arbitër kishte drejtuar zikaltërit, Faketi ka vënë re një balancë perfekte ndërmjet fitoreve, barazimeve dhe humbjeve (nga katër secila). Ish-drejtuesi dhe zyrtari i federatës folën për një ndryshim pozitiv të statistikave që prej takimit të radhës. “Me ne ka 4 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje…”, thoshte Faketi. “Ta marrë djalli…, atëherë duhet bërë 5,4,4. Por, fitore”, ishte kundërpërgjigjja e Bergamos. Të nesërmen (më 12 maj) Interi fitoi në “Sant’Elia”, megjithatë polemikat nuk munguan. Vetëm pak minuta pasi filloi pjesa e dytë, gjyqtari Bertini nuk nxori kartonin e kuq për portierin Karini, i cili e largoi topin me dorë jashtë zonës. Kaljari shënoi me Zolën, por avantazhi i sardëve zgjati pak: disa minuta më pas, Interi barazoi me Martins, por më parë topi ishte prekur me dorë nga Kambiaso.
#