E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakte dhe arsye

Pse i besoj arsyes habermas-jane? Sepse Habermas-i, konceptin e “Arsyes”, që Kanti e vuri në bazë të sistemit të tij filozofik, e pruri në të sotmen. Për këtë koncept, shoqëria, sidomos shoqëritë në hapje, kanë kaq shumë nevojë.

Arritja te transformimi i realitetit, përmes Arsyes dhe veprimtarisë që priret nga ajo, nuk është e rastit. Transformimet e rëndësishme kërkojnë në çdo kohë aparate konceptuale, arsyen njerëzore, dhe jo shpatën apo grykën e pushkës, siç e shtronte filozofia e forcës .

Arsyeja e jo dhuna, debati e jo konfliktualiteti, subjekti aktiv e jo pasiv, (ky i fundit kthehet lehtë në një subjekt amorf e lojë në duar politikanësh kodoshë) ishin e janë mjete prioritare në duar të popujve. Nga këto kërkesa, nga ky material, morën Habermas-i e filozofë të tjerë të “projektit të modernitetit”, për të ngritur godinën e re filozofike, për t’u dhënë përgjigje kërkesave të kohës, sidomos fillimeve të këtij shekulli.

Habermas-i kritikoi me forcë edhe tezat e disa historianëve (1986), sipas të cilave Gjermania hitleriane kishte ushtruar dhunë të egër për shkak të komunizmit sovjetik. Për shkaqe që dihen, komunistët në mbarë botën u ngritën kundër dhunës e terrorit nazist e fashist. E them këtë, sepse edhe disa nga historianët tanë, sidomos pellagetë gogolianë që nuk dinë të dallojnë të djathtën nga e majta, janë bërë aq mefistofelë, saqë na thonë që në Shqipëri nuk u luftua nazi-fashizmi po u zhvillua “luftë civile” (!).

Mohojnë të pamohueshmen: Organizimin e një ushtrie të rregullt NAÇL (nga skuadra te batalioni, e deri te komparmata, nga rreshteri deri te gjenerali). Këto fakte e të tjera janë të besueshme se kanë shkallë të lartë saktësie, përpikërie e çiltërsie.

Fakti është i nevojshëm kudo. Sidomos në debatet shkencore. Domosdo, edhe në politikë, madje tek kjo e fundit, ca më tepër. Kur debatohet, p.sh., për rolin e shtetit në sigurimin e jetës së shtetasve të vet, politikanë apo edhe analistë, “harrojnë” fakte të tilla si, papunësinë, varfërinë,emigracionin e detyruar, ngurosjen e produkteve bujqësore e blegtorale për shkak të kostos së lartë; lënien e hapësirave për veprimin e normave dhe zakoneve fisnore, si ai i gjakmarrjes, etj. Debatet tona kanë rrallë saktësi shkencore, por akoma më rrallë kanë çiltërsi. Çiltërsia të prin në kërkim të argumentit; të largon nga imoraliteti, veprimet e mbrapshta; të bën të ndjesh jo vetëm përgjegjësi, por të respektosh edhe kundërshtarin.

Faktit i largohesh apo bën përpjekje ta mbulosh, kur priresh nga interesa të ngushta. A nuk na janë shfaqur para syve në ekrane prirjet për të lënë në harresë faktet që shpien te shkaqet e ngjarjeve të Gërdecit, Karaburunit, Butrintit, Gjirokastrës, etj.? Këta lloj analizuesish që u rrinë fakteve larg, nuk kanë sy të shohin realitetin. E fundmit gjë që u shkon në mendje, është qytetari me ndjeshmëritë dhe arsyen e tij.

Ndaj, kërkesa për një politikë që të kthejë fytyrën nga qytetari, është domosdoshmëri e kohës, sidomos për vende si ne, ku prirjet diktatoriale shfaqen e rishfaqen.

Fakte dhe Arsye. Faktet që lëvizin në rrugën e arsyes na ndihmojnë për të kuptuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›