Protestat dhe grevat, 50 milion euro dëm Greqisë
ATHINË-Përsëri, gjatë ditës së sotme kanë vazhduar protestat dhe përleshjet midis protestuesve dhe forcave policore greke. Përleshjet me bomba molotov, me gurë, me çdo lloj objekti tjetër ka qenë edhe gjatë ditës së sotme pamja e qyteteve kryesore të Greqisë. Megjihatë gjatë ditës së djeshme është parë një zbehje e protestave dhe përleshjeve, gjë e cila mund të paralajmëroj edhe përfundimin e protestave dhe shkatërrimeve në shtetin grek.
Bilanci
Gjatë ditës së sotme është bërë bilanci total i dëmtimeve për katër ditët e para. Bizneset që janë prekur nga shkatërrimi i protestuesve llogariten në një numër 435. Ndërsa dëmi financiar që kanë shkaktuar tek këto biznese është 50 milion euro. Një shumë kjo që ka për t’i kushtuar rëndë si shtetit grek ashtu edhe shumë bizneseve që ishin prekur nga kriza ekonomike. Regjistrimi bizneseve që kishin pësuar dëmtime ka përfunduar gjatë drekës së ditës së djeshme, ku vlen të theksohet se dëmtimet që kanë pësuar bizneset janë në rrugët kryesore të çdo qyteti, duke prishur pamjen festive gjatë këtyre ditëve të festave. Dëmtim total kanë pësuar rreth 37 biznese. Dëmi më i madh financiar llogaritet në 5.5 milion euro për biznes, ndërsa dëmi më i vogël në 500 euro. Dëmtime kanë pësuar gjithashtu 16 banka, 2 super market, 40 dyqane filialesh të mëdha në qendra tregtare, 374 biznese të nivelit të mesëm dhe 3 objekte teatrale dhe kinematografike. Gjithashtu gjatë protestave janë vjedhur nga protestuesit dyqane me aksesorë celularësh kompjuterash etj. Një dëm i tillë ka lënë të papunë rreth 2500 punonjës. Një fakt i tillë ka bërë që Ministri i Ekonomisë, Jorgo Alogoskufi të deklaroj se qeveria duhet të fillojë menjëherë alokuimin e fondeve për kompensimin e këtyre bizneseve.
Masat
Gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, janë marrë nga qeveria e Karamanlis, masa konkrete për përballimin e kësaj situate të vështirë që ka përfshirë vendin. Karamanlis ka deklaruar se do të financohen më 10 mijë euro bizneset e vogla dhe ato shumë të vogla. Dëmshpërblim në masën 50 për qind, për bizneset që kanë pësuar dëme të shumës nga 10 mijë euro deri në 200 mijë euro. Gjithashtu qeveria greke do t’u jap mundësi bizneseve të dëmtuara, kredi me afat shlyerje deri më 15 vjet. Shteti ka lënë jashtë detyrimeve financiare bizneset për tre muaj. Pra bëhet fjalë për pagimin e taksave, kredive etj. Gjithashtu për bizneset që nuk do të arrijnë të fillojnë punën e përditshme deri më 20 Dhjetor, punëtorët do të dëmshpërblehen me rrogën e plotë bashkangjitur me shpërblimet e fundvitit.
Greva që bllokoi rrugët e Greqisë
Si të mos mjaftontin përleshjet dhe dhuna e shpalosur në rrugët e Greqisë, gjatë ditës së sotme është zhvilluar edhe një grevë një ditore nga punonjësit e sektorit publik. Këta të fundit kanë protestuar për politikat ekonomike të qeverisë, duke shpalosur parulla kundër paaftësisë së qeverisë për të përballuar krizën ekonomike. Transporti publik në vend është pezulluar, ndërsa në të njëjtën gjendje ishin edhe fluturimet brenda edhe jashtë aeroportit të Athinës. Numri i protestuesëve ka qenë i konsiderueshëm dhe protesta është mbajtur në qetësi. Ndërsa, më vonë kanë filluar përsëri protestat ku të rinjtë para parlamentit grek, ka sulmuar godinën, por edhe policinë me gurë.