Dosja e plotë kundër Lulzim Bashës
Dosja e plotë e prokurorisë për abuzimet në tenderin më të madh në Shqipëri. Si u zgjodhën firmat me anë të sekserëve dhe të gjitha veprimet e paligjshme të zbuluara nga prokuroria
Si u shpërdoruan paratë e rrugës Durrës- Kukës
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, pesë ditë pas depozitimit të dosjes penale pranë Gjykatës së Lartë me të pandehur Lulzim Bashën e Andi Tomën ka zbardhur dje kërkesën për gjykim, e cila të premten do merret për shqyrtim nga gjykata. “Shekulli” ka siguruar një kopje të plotë të kërkesës për gjykim, në të cilën shpjegohen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet e kryera nga zyrtarët që akuzohen për “shpërdorimi të detyrës në bashkëpunim” dhe “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, në bashkëpunim”. Më poshtë publikohen pjesët kryesore të kësaj dosjeje penale, që pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.
Ngjarja objekt hetimi ka ndodhur në rrethanat e përshkruara më poshtë:
Në fund të vitit 2003, Këshilli Kombëtar i Rrugëve ka miratuar një vendim për përcaktimin e variantit optimal të aksit rrugor Durrës-Kukës-Morinë. Nga alternativat e paraqitura është miratuar alternativa Nr.3 me kalimin Milot-Rrëshen-Rreps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë, me gjatësi 117 km dhe me gjerësi 4 korsi. Ndërtimi i segmentit Rrëshen-Kalimash me gjatësi 60.1 km, me 4 vija kalimi, është financuar nga buxheti i shtetit. Ky segment është ndarë në tre lote: Rrëshen-Reps, Reps-Thirra dhe Thirra-Kolsh, të cilat janë prokuruar si një lot i vetëm. Për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është zgjedhur si konsulent i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve shoqëria “Ecorys Group”. Një komision ndërkombëtar ka përzgjedhur me datën 4 gusht 2006 si subjekt ndërtues të këtij segmenti rrugor shoqërinë Bechtel-Enka. Me shoqërinë Bechtel-Enka është lidhur kontrata për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Kontrata është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka hyrë në fuqi me datën 6 tetor 2006. Bazuar në këtë kontratë, kosto e synuar për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është 418 333 985 Euro. Në këtë vlerë nuk është përfshirë TVSH.
Projektet janë përfunduar në fillim të vitit 2008, kjo sepse është punuar me metodën ndërto dhe projekto njëkohësisht. Sipas projektuesve kjo metodë ka sjellë vonesën në përfundimin e projektit në afat për faktin se projektimi zhvillohej pjesë-pjesë, bazuar në kërkesat e kontraktorit.
Supervizioni i punimeve fillimisht është bërë nga projektuesit për segmentet e rrugës që ishin kontraktuar të projektonin. Kjo sepse kontrata me shoqërinë ndërtuese Bechtel-Enka është lidhur pa përfunduar procedurat e përzgjedhjes së supervizorit.
Deri me 10 Shtator 2008 i janë paguar shoqërisë Bechtel-Enka për punime të kryera 416 548 117 Euro (bashkë me TVSH). Bazuar në të dhënat e projektit përfundimtar, vlera e përgjithshme që do paguhet në favor të shoqërisë Bechtel-Enka për përfundimin e punimeve është 867 695 022 Euro (bashkë me TVSH).
Pagesat e kryera deri tani janë përballuar nga buxheti i shtetit si dhe nga një kredi tregtare që ka marrë qeveria shqiptare. Kredia tregtare është marrë nga ALPHA BANK, A.E., NATIONAL BANK OF GREECE, S.A. si rregullues dhe ALPHA BANK, A.E., dega Londer, si agjent, për shumën 230 milionë euro për financimin e projektit të rrugës Rrëshen–Kalimash. Marrëveshja e kredisë është miratuar nga Kuvendii Shqipërisë, në prill 2008. Interesat që do paguhen për këtë kredi janë 139 916 400 Euro, plus tarifa dhe shpenzime të tjera në shumën 3 270 000 Euro. Bazuar në konkluzionet e aktit të ekspertimit rezulton se vlera e përgjithshme që do t’i kushtojë shtetit shqiptar ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash 60.1 km e gjatë, me katër vija kalimi (përfshirë tunelet) është 1 027 536 635 Euro.
Vlera e synuar e kontratës së lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka pas përfundimit të projektit ka arritur nga 418 333 985 Euro, në shumën 723 079 185 Euro. Pra shtesa është 304 745 200 Euro më shumë, ose rreth 73 % të vlerës së kontratës fillestare. Kjo shtesë ka ardhur për disa arsye si më poshtë :
1. Nga ndryshimi i disa çmimeve për njësi në rritje dhe shtimi i dy zërave të paparashikuara në kontratë në shumën 1 762 641 Euro.
2. Nga ndryshimi i kategorisë së gërmimeve në tunel dhe shtimi i disa punimeve të paparashikuara në kontratë (galeri lidhëse të tuneleve) në shumën 82 791 387 Euro.
3. Nga llogaritja e saktë e volumeve të punës pas përfundimit të projektit në shumën 220 191 172 Euro. Rezulton se në segmentin Rrëshen-Kalimash kosto mesatare për 1 m2 rrugë është 266.4 Euro/m2, ndërsa kosto mesatare për 1 m2 ura është 1293 Euro/m2. Ndërsa në segmentin Kalimash-Morinë kosto mesatare për 1 m2 rrugë është 140 Euro/m2 dhe për 1 m2 ura është 720 Euro.
Në total kemi një diferencë 232 009 583 Euro, që kosto e rrugës dhe urave në segmentin Rrëshen-Kalimash kanë kushtuar më shumë se kosto e rrugës Kalimash-Morinë.
Janë krahasuar çmimet për njësi të aplikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka me çmimet për njësi të aplikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në kontratat e lidhura me shoqëritë që po ndërtojnë segmentin Kalimash-Morinë. Ekspertët kanë arritur të krahasojnë 25 zëra punimesh të njëjta, të parashikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka dhe në kontratat e lidhura me shoqëritë që po ndërtojnë segmentet rrugore nga Kalimashi në Morinë. Janë përjashtuar nga krahasimi punimet në tunel dhe disa zëra punimesh që parashikohen në kontratën me Bechtel-Enka dhe nuk parashikohen në kontratat me shoqëritë e tjera, si të pakrahasueshme. Rezulton se çmimet për njësi të aplikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka janë shumë mëtë larta se ato të aplikuara me shoqëritë e tjera. Ekspertët, duke shumëzuar diferencën e çmimeve për njësi me volumet e punës sipas projektit përfundimtar të rrugës Rrëshen-Kalimash, kanë llogaritur një shumë prej 114 851 604 Euro. Kjo shumë përbën favorizim dhe pagesë të kundraligjshme në favor të shoqërisë Bechtel-Enka dhe nga ana tjetër, dëm financiar për buxhetin e shtetit shqiptar.
Bazuar në konkluzionet e aktit të ekspertimit rezulton se sipas projektit të miratuar për rrugën Rrëshen-Kalimash, 25 zërat e punimeve të krahasuara, kapin një vlerë në total prej 316 008 407 Euro. Nga kjo shumë rezulton se 114 851 604 Euro është paguar në kundërshtim me ligjin shoqëria Bechtel-Enka, ose në përqindje 36%. Ky favorizim i shoqërisë Bechtel-Enka dhe nga ana tjetër, dëmi financiar për buxhetin e shtetit ka ardhur si rezultat i aplikimit në kontratën e lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka të çmimeve për njësi të imponuara nga shoqëria Bechtel-Enka, pa një analizë të strukturës së kostos, dhe si rrjedhim të pajustifikuara.
Rezulton se shoqëria Bechtel-Enka ka pasur për vitin 2006 një normë fitimi (rentabilitet) rreth 69 % dhe për vitin 2007 një normë fitimi (rentabilitet) rreth 44%. Llogaritja normës së fitimit për secilin nga vitet fiskale është bërë fitim/të ardhura.
Me të njëjtën metodë janë krahasuar nga ekspertët çmimet për 15 zëra punimesh me çmimet që përdoren nga një kompani ndërtuese në Milano (çmime të shtatorit 2008) dhe rezulton një diferencë në shumën 24.477.651 Euro në favor të shoqërisë Bechtel-Enka.
Dokumentet, ekspertimet dhe materialet e tjera që kanë zbuluar abuzimet e kryera nga ish- ministri i Transporteve Bashës i është paraqitur në rrugë informale një propozim për mënyrën e ndërtimit me ritme të përshpejtuara të segementit rrugor
Prokuroria: Shkeljet e ministrit Lulzim Basha
Vepra penale e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal është kryer nga të pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e shoqërisë konsulentë Ecorys Group, në rrethanat e përshkruara më poshtë : Përzgjedhja e shoqërisë Ecorys Group është bërë drejtpërdrejt nga ministri Lulzim Basha dhe të gjitha aktet për t’i dhënë formë ligjore kësaj përzgjedhjeje janë hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Juridike Andi Toma. Përzgjedhja e konsulentit Ecorys Group nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma është bërë në kundërshtim me nenin 17/3 të ligjit “Për prokurimin publik”, dhe në kundërshtim me Udhëzimin KM Nr.1 datë 01.01.1996 Për prokurimin publik”, pika 3 e kapitullit 1 dhe pika 2/dh e kapitullit 2. Bazuar në propozimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin Nr.158 datë 15.03.2006. Ky vendim lejon Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurat e prokurimit të Bankës Botërore për të përzgjedhur subjektin që do bëjë projektimin e rrugës Rrëshen-Kalimash si dhe do hartojë dokumentacionin për organizimin e tenderit të përzgjedhjes së subjektit që do të ndërtojë këtë segment rrugor.
Me datën 6 korrik 2006, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha dërgon për mendim në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Prokurimit Publik një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave, termat e referencës dhe relacionin shoqërues, me objekt “Për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën prokurim i drejtpërdrejtë, me konsorciumin ndërkombëtar Ecorys Group, për shërbim konsulentë në përgatitjen e termave të prokurimit/konkurrimit ndërkombëtar, vlerësimin, përzgjedhjen dhe negociimin e kontratës për të ndërtuar seksionin qendror të autostradës Durrës-Kukës-Morinë.” Vlera që do t’i paguhej konsulentit për shërbimin që do kryente ishte parashikuar në projekt-vendimin 180 mijë Usd.
Agjencia e Prokurimit Publik me datën 7 korrik 2006 i kthen përgjigje se “Në materialin tuaj mungon relacioni i hollësishëm i përllogaritjes së fondit limit, arsyet e përzgjedhjes së këtij konsorciumi dhe dokumentacioni ligjor i tij. Pas plotësimit të materialit do të paraqesim mendimin tonë.”
Me datën 10 korrik 2006 ministrit Lulzim Basha i vjen një faks nga Patricia de Jonge, punonjëse finance në Ecorys. Në të, ndër të tjera, thuhet “I dashur ministër Lulzim Basha, bashkëlidhur po ju dërgoj propozimin tonë financiar shërbime konsulence për përzgjedhjen e kontraktorit për punimet ndërtimore në rrugën Rrëshen-Kalimash”. Në faqen e dytë të fax. ndër të tjera, thuhet “I dashur zoti Basha, në vijim të kërkesës tuaj, siç diskutuam në telefon, po ju paraqes propozimin tonë financiar për shërbime konsulence lidhur me përzgjedhjen e kontraktorit për punimet ndërtimore në rrugën Rrëshen-Kalimash. Në fund jepet dhe shuma 180 mijë USD, si shumë totale për realizimin e detyrës. Oferta është firmosur nga Marcel van den Broek, me detyrë Drejtor i Financës së Ecorys.
Me datën 11.07.2006 Gertjan Veshaj, Drejtori i Kabinetit të ministrit Lulzim Basha, dërgon me porosi të ministrit në Agjencinë e Prokurimit Publik ofertën financiare të paraqitur nga Ecorys me faksin e datës 10 Korrik 2006. Agjencia e Prokurimit Publik me datën 12 Korrik 2006 i kthen përgjigje se “Edhe njëherë ju sqarojmë se në materialin tuaj mungojnë: relacion i hollësishëm i përllogaritjes së fondit limit, në të cilin duhet të trajtohen ofertat e dhëna nga disa kompani prestigjoze të fushës së prokurimit; arsyet e përzgjedhjes së këtij konsorciumi nga kompanitë e tjera të cilat kanë dhënë ofertat e tyre; dokumentacioni ligjor i këtij konsorciumi.”
Me datën 14 Korrik 2006 ministri i Financave kthen përgjigje shkresës së datës 6 korrik 2006 të ministrit Lulzim Basha. Në shkresë, ndër të tjera, thuhet se “projekt-vendimi i paraqitur nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 3 të ligjit Nr.7971 datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar”.
Relacioni që shoqëron projekt-vendimin është përgatitur nga Andi Toma dhe firmosur nga Lulzim Basha dhe është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave së bashku me projekt-vendimin përkatës.
Rrethanat e cituara më sipër dhe të paraqitura në relacion nuk janë reale. Këshillit të Ministrave i janë paraqitur rrethana të rreme në lidhje me nevojën e përzgjedhjes së një konsulenti ndërkombëtar. Kjo për faktin se Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit Lulzim Basha kishte miratuar katër muaj më parë, VKM Nr.158 datë 15.03.2006.
Nga hetimi është provuar se nuk ka asnjë dokument që të provojë se kush zyrtar shqiptar ka komunikuar me pesë shoqëritë e përmendura, çfarë bisedimesh janë bërë, përse ishte Ecorys Group me e mira prej tyre, përse shoqëritë e tjera nuk kanë pasur mundësi të realizonin detyrën, etj. Pra duket qartë se shoqëria Ecorys Group është favorizuar në krahasim me shoqëritë e tjera.
Llogaritja e fondit limit për pagesën e shoqërisë Ecorys Group është bërë në kundërshtim me ligjin. Nga hetimi është provuar se shuma 180 mijë Usd e vendosur për të paguar shoqërinë Ecorys Group është paraqitur tek ministri Lulzim Basha me faks nga vetë shoqëria konsulente, pas kundërshtimit të bërë me shkresë nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pra rezulton se në momentin kur ishte dërguar për miratim projekt-vendimi, së bashku me relacionin përkatës, nga Ministria Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nuk kishte asnjë llogaritje të fondit limit që ishte propozuar për t’u miratuar.
Këto veprime të kryera nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma janë në kundërshtim me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave Nr.1 datë 01.01.1996, i cili ka dalë në zbatim të ligjit Nr.7971 datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”.
Veprimet e kryera nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma janë në kundërshtim dhe me nenin 7/1 të ligjit Nr.7971 datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, i cili thotë se: “Enti prokurues është përgjegjës për prokurimin me fonde publike që i vihen në dispozicion, duke ju nënshtruar dispozitave të këtij ligji dhe cdo kushti tjetër që përfshihet në rregullat e prokurimit dhe udhëzimet e Agjencisë së Prokurimit Publik.”
Asnjë nga detyrimet ligjore të përshkruara më sipër nuk janë zbatuar nga ministri Lulzim Basha dhe Drejtori Shërbimeve Juridike Andi Toma gjatë procedurës së ndjekur për përzgjedhjen e shoqërisë Ecorys Group.
Në këto kushte rezulton se shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma, në bashkëpunim me njëri tjetrin, gjatë procedurave të kryera për përzgjedhjen e konsulentit Ecorys Group kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë të padrejtë shoqërinë Ecorys Group, duke konsumuar në bashkëpunim veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
Nga hetimi është provuar se në tremujorin e parë të vitit 2006 ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha i është paraqitur në rrugë informale një propozim i pa kërkuar nga kompania Bechtel-Enka për mënyrën e ndërtimit me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash nëpërmjet aplikimit të një kontrate projekto e ndërto, në bazë të çmimeve për njësi të fiksuara. Janë zhvilluar disa takime bilaterale ndërmjet përfaqësuesve të shoqërisë Bechtel-Enka dhe ministrit Lulzim Basha për të diskutuar këtë propozim të pa kërkuar. Nga hetimet e kryera provohet se negociatat faktikisht janë zhvilluar ndërmjet konsulentit Ecorys dhe shoqërisë Bechtel-Enka dhe se çmimet për njësi nuk janë negociuar fare, por janë pranuar ato çmime që ka paraqitur Bechtel-Enka. Në përfundim të negociimit, me datën 15 shtator 2006 është hartuar një projekt kontratë për realizimin e punimeve të ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Kosto e synuar për përfundimin e rrugës është parashikuar 418 333 985 Euro. Në këtë vlerë nuk përfshihet TVSH.
Projekt-kontrata është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave nga Ministri Lulzim Basha me datën 25 Shtator 2006. Në relacionin shoqërues, të përgatitur nga shtetasi Andi Toma dhe të firmosur nga ministri Lulzim Basha paraqiten rrethana të rreme në lidhje me faktin se ndërmjet kujt janë zhvilluar negociatat, si dhe në lidhje me negocimin e çmimeve për njësi. Pra paraqitet situata sikur negociatat janë zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, nën drejtimin e konsulentit. Në fakt nga hetimi është provuar e kundërta, që negociatat janë zhvilluar ndërmjet konsulentit Ecorys Group dhe shoqërisë Bechtel-Enka, ndërsa dy përfaqësues të palës shqiptare vetëm kanë asistuar konsulentin Ecorys Group gjatë periudhës së negociimit. Nga hetimi është provuar që nuk është zhvilluar asnjë negociatë nga përfaqësuesit shqiptarë në lidhje me çmimet për njësi, dhe që çmimet për njësi janë pranuar ato të paraqitura nga shoqëria Bechtel-Enka. Është provuar se gjatë momentit të negociimit të kushteve të kontratës me shoqërinë Bechtel-Enka ministri Lulzim Basha në bashkëpunim me shtetasin Andi Toma, kanë krijuar kushtet dhe kanë lejuar që negociatat të kryheshin faktikisht ndërmjet konsulentit Ecorys dhe shoqërisë Bechtel-Enka, duke favorizuar shoqërinë Bechtel-Enka dhe nga ana tjetër, kanë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Ministrave një relacion që nuk pasqyron situatën reale në lidhje me negociimin e kontratës në përgjithësi dhe në veçanti në lidhje me negociimin e çmimeve për njësi të aplikuara në kontratë.
Në këto kushte, rezulton se shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma gjatë procedurave të ndjekura për negociimin e kushteve të kontratës të lidhur me shoqërinë Bechtel-Enka për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash kanë konsumuar në bashkëpunim veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, duke favorizuar në mënyrë të kundraligjshme shoqërinë Bechtel-Enka për shumën 114 851 604 Euro, ose 14 146 272 064 lekë, si dhe dukei shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit për të njëjtën shumë.