E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktet e reja të AKR-së

Aleanca Kosova e Re ka prezantuar fakte të reja lidhur me mënyrën e trajtimit të ankesave rreth parregullsive në zgjedhjet e raundit të parë në Gjakovë dhe ato të raundit të dytë të zgjedhjeve në Mitrovicë.

Këto fakte i ka prezantuar Zëvendëspresidentja e AKR’së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka prezantuar tri vendime të Gjykatës Supreme për ankesat e Gjakovës, kurse ka prezantuar edhe fakte për dallavere të votave edhe në Mitrovicë.

Kusari-Lila tha se AKR vlerëson se vendimet e prezantuara në rastin e Gjakovës kanë qenë më tepër vendime politike sesa juridike. “I bëjmë thirrje Gjykatës Supreme që në mënyrë sa më të shpejtë dhe azhure t’i dërgojë informatat e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese dhe t’ia mundësojë asaj nxjerrjen e vendimit të drejtë për rastin e Gjakovës”, tha Kusari-Lila.

Kandidati i AKR’së për Kryetar të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, ka prezantuar fakte të reja me të cilat pretendon se është bërë parregullsi në raundin e dytë të zgjedhjeve. Ai ka bërë të ditur se AKR ka paraqitur ankesë në KZAP lidhur me falsifikimin e procesverbalit në pikën 1116/02R në Tunelin e Parë në Mitrovicë.

“Nëse KQZ i merr parasysh këto fakte, atëherë rezultati përmbyset dhe zgjedhjen e kryetarit të Mitrovicës e përcaktojnë 920 votat me kusht, të cilat duhet të fillojnë të numërohen sot ose nesër”, ka thënë Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›