E Diel, 1 Nëntor 2026

Shala arsyeton fushatën “Kosovo, young Europeans”

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës të dhëna për paraqitjen e reklamës 60-sekondëshe, përmes së cilës synohet krijimi i imazhit të ri për Kosovës. Spoti, sipas Shalës, është reklamuar në kanalet më prestigjioze ndërkombëtare në kohën më sociale, sikur edhe në gazetat dhe revistat me renome.

Ministri Shala është obliguar t’i japë këto të dhëna pas pyetjes së deputetit Driton Tali në kohën e pyetjeve parlamentare, i cili është interesuar të dijë se sa herë është paraqitur kjo reklamë dhe në çfarë kohe është transmetuar.

Në mungesë të kryeministrit Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Kuçi, të cilëve iu është drejtuar pyetja, ministri Shala ka thënë se në “CNN” që nga 4 nëntori janë transmetuar 654 spote, në “BBC World” 56 spote, “EuroNews” 86 spote, e kështu me radhë.

Ai ka thënë se ky spot është reklamuar edhe në “CCN turk”, “Bloomberg”, “Eurosport” dhe në “ESB” të Spanjës, ndërkohë që ka paralajmëruar se në “CNN” do të vazhdojë prapë reklamimi i 71 spoteve, në “Skynews” 62 spote, në “CNBC” 44 spote etj.

Po ashtu, ministri Shala ka thënë se kjo reklamë është publikuar edhe në “The Ekonomist” dhe “News Week”, ku është publikuar nga një herë, ndërsa nga dy herë është publikuar në “The Parlament” dhe në “Politica”.

Shala ka theksuar se kjo reklamë është transmetuar edhe në mediumet e Kosovës, përkatësisht në “RTK”, “KTV”, “RTV 21”, “Klan Kosova”, “Fan TV”, në disa agjenci lajmesh dhe në të gjitha gazetat e përditshme dhe në dy javore, ndërkaq ka përmendur edhe reklamimin në rreth 50 bilboarde në Prishtinë.

Deputeti Tali e ka konsideruar si zgjidhje jo të mençur të Qeverisë që të transmetojë këtë spot për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që është interesuar të dijë për kohën e transmetimit, ngase sipas tij, kjo reklamë nuk po emetohet në kohën më sociale, kur mund të jetë më afër publikut.

Por ministri Shala ka bërë të ditur se transmetimi është bërë në orët më të përshtatshme, në orën 20 dhe në orën 21. “Jam i sigurt që ekspertët që e kanë bërë e kanë zgjedhur kohën më të efektshme të marketingut”, ka thënë Shala.

Qëllimi i kësaj fushate mediatike, e cila është përgatitur nga konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi”, është që të ngrisë imazhin e Kosovës në botë, përmes reklamimit në mediumet më prestigjioze botërore.

Konsorciumi “BBR Saatchi & Saatchi” ka fituar tenderin në vlerë 5,7 milionë euro, ndërkaq fushata do të jetë shumë e gjerë dhe pritet të zgjasë dy vjet. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›