Mbështetje për komunitetin malazias
Kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar, në mbledhjen e qeverisë, një deklaratë lidhur me krijimin e rrethanave të reja favorizuese për respektimin e komuniteteve në Kosovë, por edhe raporteve ndërfqinjësore të mira që ka ndërtuar Kosova me të gjitha vendet e rajonit.
“Mbrojtja e të drejtave të komuniteteve është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Komunitetet etnike në Kosovë janë të integruara plotësisht në institucionet qendrore dhe lokale. Shembulli më i mirë është participimi i tyre në zgjedhjet lokale”, ka thënë Thaçi.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës mirëpret pjesëmarrjen e komunitetit malazias në Kosovë përkrah të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. “Do të kenë mbështetje afirmative”.
Ai shpreson që komuniteti malazias do të kontribuojë në thellimin edhe më të madh të raporteve fqinjësore dhe ndërshtetërore midis Kosovës dhe Malit të Zi. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike me Republikën e Malit të Zi”, ka thënë Kryeministri Thaçi.