E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Baticat “shkelin” edhe Plazhin e Durrësit, stuhitë detare probleme në Rumani, Greqi e Turqi

Përmbytjet e ndodhura ditët e fundit në veri të vendit si pasojë e baticës detare nuk mund të konsiderohen rastësore për sa kohë e njëjta situatë po ndodh edhe në disa vende të Ballkanit. Baticat detare të ditëve të fundit, po vijojnë një veprimtari të egër në mbarë rajonin e Ballkanit, pasi edhe Turqia, Rumania dhe Greqia po përballen me të tilla përmbytje. Baticat detare, që prej ditësh kanë krijuar probleme në Ballkan, pas problemeve dhe përmbytjeve në Lezhë, kanë qenë dje prezent edhe në Durrës.Qytetarët banues pranë bregut të detit në Durrës, kanë qenë dje dëshmitarë të një batice të detit, e cila “shkeli” rërën duke u afruar deri pranë shëtitores bregdetare. Si pasojë e këtij fenomeni qytetarët që kanë parë detin deri në mesin e brezit të rërës janë ndier të alarmuar. Në disa lokale, restorante dhe apartamente që shtrihen në ballë të detit është mësuar se janë dëmtuar xhamat apo bazën tjetër materiale që nuk ka mundur t’i rezistojë stuhisë. Ndërkohë, Gjiri i Durrësit është përfshirë dje nga një stuhi e fortë detare e cila ka sjellë probleme për anijet e peshkatoret si dhe është shoqëruar me panik ndër banorë që kanë aprtamntet buzë deti. Gjatë orëve të mesditës të së mërkurës era e forta ka shënuar deri në 20 m në sekondë ndërsa në deti deri në 6 ballë. Situata është përkeqësuar ngase era ka thyer pemë, shtylla të telefonit, ka rrëzuar tenda dhe ka vënë para mbulesa të kulmeve të apartamenteve përdhese që janë buzë deti. Alarmi është ndier kryesisht në zonën buze deti dhe konkretisht në Plazh, Plepa, Shkëmbi i Kavajës, pranë Urës së Dajlanit dhe në port. Për gati 20 minuta era ka trazuar gjithçka pa u dhënë mundësi banorëve dhe as bizneseve të mbledhin sendet e lëna jashtë apo tendat e hapura. Burime nga kapitaneria e Përgjithshme dhe ajo e port të Durrësi bëjnë të ditur se situata është paralajmëruar për të gjitha mjetet lundruese dhe dispeceritë përkatëse. Kështu ekuipazhet e anijeve në rad që janë sistemuar në pritje për të hyrë në kalatat e përpunimit janë urdhëruar të ndezin të gjithë motorët për të përballur detin e fortë dhe erën e fuqishme. Nga ana tjetër porti në të gjithë sektorët ka paralizuar aktivitetin duke urdhëruar vinçierët të presin përmirësimin e kushteve dhe qetësimin e erës e cila është shoqëruar edhe me reshje shiu. Dy tragete janë akostuar me 40-50 minua vonesë pasi ato i janë afruar Gjirit të Durrësit pikërisht në kohën e baticës. Për të mos rrezikuar gjatë manovrave në terminal, tragetet kanë pritur deri sa stuhia detare ka rënë, ndërkohë që është pohuar nga burimet portuale dhe ato të policisë së migracionit dhe kufirit në portin e Durrësit se nuk ka pasur asnjë problem në përpunimin e udhëtarev dhe të mjeteve.   Në krahasim me baticën e Lezhës, ku u përmbytën qindra hektarë toke dhe dhjetëra shtëpi, në Durrës nuk janë konstatuar dëme të rënda, pavarësisht se disa biznese pranë plazhit janë përmbytur. Efektet e çrregullimeve të klimës, janë tashmë më evidente se kurrë. Furia e egër e lumenjve dhe përshkallëzimi i dallgëve detare në një rajon dhe ngricat e reshjet e dendura të dëborës në një rajon tjetër, janë tipike efektet e një klime të ndryshuar dhe të pa stabilizuar.  Situata e baticave, në ëkto ditë të para të vitit 2010, ka qenë prezent në pothuajse gjithë rajonin e Ballkanit, ku nuk kanë munguar edhe përmbytjet.Baticat detare, erërat e forta, shirat e rrëmbyeshëm mësohet se kanë bllokuar të transportin detar në disa pjesë bregdetare të Turqisë. Në Detin Marmara, një total prej 31 anije u detyruan të hyjnë për shkak të erërave të ashpra, që arritën një shpejtësi prej 80 km/h në disa gjire të rajonit bregdetar. Po kështu, në Rumani, autoritetet lëshuan si paralajmërim kodin e verdhë të borës dhe ortekëve kryesisht për pjesën jug dhe në jugperëndim të vendit. Ndërkohë, meteorologët lëshuan gjithashtu edhe një paralajmërim portokalli, si paralajmërim nga përmbytjet, në perëndim dhe veriperëndim të Rumanisë. Përmbytje ka pasur edhe në Greqi, pasi zonat bregdetare dhe disa ishuj kanë pasur probleme për shkak të motit të keq me reshje të dendura shiu, ku uji i detit ka vërshuar duke mbuluar rrugët. Shumë zona bregdetare u përmbytën dy ditët e fundit. Uji i detit ka pushtuar disa zona në Peloponez, Rio, por edhe disa ishuj. Uji ka përmbytur dhjetëra shtëpi e dyqane. Sipas specialisteve, rritja e nivelit nuk lidhet me ngrohjen globale, ndërsa për orët e ardhshme parashikohen përmbytje të reja....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›