E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD do të zgjerojë sekretariatet dhe strukturat me elementë të tjerë të rinj”

Deklaron kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një intervisteNë një kohë kur Partia Demokratike pritet të mbledhë Këshillin Kombëtar për të zgjedhur kryesinë e re, nënkryetarja e PD dhe njëherazi kryetare e Kuvendit Jozefina Topalli deklaron se mund të ketë zgjerim të sekretariateve me elementë të rinj dhe strukturë më të gjerë. “Përsa i takon ndryshimeve në sekretariatin e Partisë Demokratike, kryetari i partisë dhe Kryeministri ka thënë se do të ketë të reja në kuptimin e zgjerimit të numrit të sekretariatit, të sekretarëve, gjë që është shumë e mirë, pasi sjell elementë të rinj, një strukturë edhe më të gjerë, pjesëmarrje më të madhe dhe kjo vetëm mirë i bën një force politike, sidomos kur është në mandatin e saj të dytë”, u shpreh Topalli, gjatë një interviste për “Ora News”.Duke iu referuar punës së Kuvendit që, pritet të startojë pas pak ditësh, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se administrata e Kuvendit ka punuar gjatë gjithë këtyre ditëve, sepse i është dashur të respektojë afatin e përcaktuar për t’iu përgjigjur pyetjeve të pyetësorit, që i takonin Parlamentit ndërkohë që sesioni i ri fillon në 18 janar. “Përveç natës së Vitit të Ri, ata s’kanë bërë asnjë pushim gjatë kësaj periudhe. Unë nuk besoj se do të ketë shtyrje, megjithatë situata do të ndiqet moment pas momenti dhe besoj se Parlamenti do të fillojë në datën 18 janar, ashtu siç është parashikuar në Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Topalli.Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli foli edhe për situatën më të fundit në zonat e përmbytura. Sipas saj vazhdon ende që gjendja të jetë kaotike dhe rritja e nivelit të ujit e bën të vështirë depërtimin në disa komuna të Shkodrës. Topalli tha se hyrja për në komunat e Shkodrës është mjaft e vështirë dhe nëse do të ketë ngritje të nivelit të ujit kjo hyrje mund të bëhet e pakalueshme. Topalli nuk e përjashton faktin se mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e situatës mjaft kritike që është në këto zona. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit nuk bëri komente rreth akuzave të opozitës për neglizhencën e qeverisë duke theksuar se nuk mund të shprehet në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Ajo u bëri thirrje banorëve të këtyre komunave të largohen, pasi sipas saj, preokupimi i qeverisë është jeta e banorëve dhe theksoi gjithashtu se dëmi do të kompensohet....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›