E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/E gjithë Lindja e Mesme braktis Assadin, e klasifikojnë si politikisht të mbaruar

24-08-2011 / Gazeta 55

Koha po mbaron, po për kë? Qysh prej pesë muajve më parë kur zuri fill kryengritja ndaj regjimit të tij, presidenti sirian Bashar Asad është përkundur mes ndërmarrjes së reformave gjysmake dhe shtypjes me dhunë të kryengritjeve. Gjatë muajit Ramazan, muaj në të cilin myslimanët kanë agjëruar që nga fillimi i gushtit, Bashar Asadi nuk ka nguruar aspak të ashpërsojë gjuhën e dhunës. Në një fushatë sulmesh të pandërprera, mbështetësit e Asadit kanë qëlluar pa ngurrim mbi njerëz të zakonshëm, kanë rrënuar qytet pas qyteti, duke i shtuar edhe 300 të vdekur të 1500 të vrarëve që nga marsi i këtij viti. Ai ka ushtruar dhunë egërsisht ndaj protestuesve të paarmatosur në qytete si Ham e Deir ez-Zor, edhe pse jo për një kohë të gjatë - duke gjykuar nga modeli i zhvillimeve në Siri, ku kryengritësit kanë rimarrë kontrollin e zonave menjëherë sapo ushtria është tërhequr. Regjimi i Asadit ka ngjallur neveri si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke e lënë vetë atë të izoluar sa më s’ka. Vendet fqinje të Sirisë - heshtja e gjatë e të cilëve shpërfaqte drojën se pas rënies së Asadit mund të binin nga shiu në breshër - duket se tashmë e kanë ndarë mendjen. Turqia ndan me Sirinë një vijë kufitare 850-kilometërshe. Ajo ka pasur marrëdhënie të mira me të, kryesisht për të shkurajuar Sirinë që të nxiste trazira brenda radhëve të bashkësisë kurde. Por tashmë kryeministri turk Rexhep Erdogan është shprehur prerazi se durimit i ka ardhur fundi. Duke deklaruar se trazirat në vendin fqinj ai i gjykonte si një çështje të brendshme turke, Erdogani dërgoi në Siri ministrin e jashtëm turk Davutogllu (9 gusht), me qëllim që të kërkonte prej Asadit përshpejtimin e reformave dhe tërheqjen e menjëhershme të ushtrisë nga qytetet siriane. Më pas, një mesazh i ngjashëm u dërgua edhe nga Arabia Saudite, që ndihej në siklet se revolucioni arab kishte nxjerrë në rrafsh dytësor aleancën shijehidhur të Sirisë me sherrxhinjtë e Iranit. Më herët, në datën 7 gusht, mbreti Abdulla lëshoi një deklaratë të fortë publike duke kërkuar nga regjimi sirian “të ndalte makinerinë vrastare”. Arabia Saudite tërhoqi ambasadorin e saj nga Siria, një lëvizje kjo që u pasua edhe nga shumë regjime monarkike të Gjirit. Liga Arabe, që deri asokohe kishte heshtur ndaj Sirisë, reagoi fort e menjëherë, duke shprehur shqetësimin e saj ndaj humbjeve të jetëve të qytetarëve sirianë. Ministri i jashtëm egjiptian paralajmëroi Sirinë se po shkonte drejt një shtegu pa kthim, një opinion ky që pati jehonë prej institucioneve të ndryshme egjiptiane, nga Universiteti “Al-Azhar” apo edhe “Lidhja e kineastëve”. Kori i zërave kritikë ishte më tepër se një dhimbje koke për Asadin. Ky kor fashiti justifikimet e Rusisë dhe Kinës që ishin angazhuar për të shmangur nga rezoluta gjuhën e ashpër për “veprim”, ashtu siç edhe bënë në fillim të gushtit. Vendet të tjera po përshtatin gjuhën e fuqive perëndimore (qysh në muajin maj), ndërkohë që SHBA-të i patën bërë thirrje regjimit sirian: “ose reforma, ose largohu”. Kështu, duket se shkalla e ndëshkueshmërisë ndaj regjimit po vjen ngutshëm në rritje. Informacione që vijnë nga Uashingtoni bëjnë me dije se administrata e presidentit Barack Obama ka përllogaritur edhe largimin e Asadit nga pushteti. Sanksione shtesë janë vendosur kohët e fundit ndaj regjimeve dhe figurave problematike, në krye të të cilave janë BE dhe SHBA, ndonëse disa analistë janë të mendimit se do të ishte më mirë që këto sanksione të mos viheshin në zbatim, nëse Asadi do ta ndante mendjen për t’u larguar nga pushteti. Megjithatë, askush nuk shpreson që ndaj Sirisë të ketë një ndërhyrje ushtarake të ngjashme me atë të Libisë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka theksuar se opozitarët sirianë nuk dëshirojnë një ndihmë të këtij lloji. Përveç kësaj, një terren i populluar dendur si ai sirian shpalos një vështirësi të pamatë për trupat ushtarake ndërkombëtare, krahasuar me terrenin përgjithësisht djerrë të Libisë. Edhe NATO nuk duket se ia ka vaktin për aventurën e radhës. Deri më tani, regjimi i Asadit ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë çdo lloj kritike që vjen nga jashtë, duke i mëshuar argumentit se trupat ushtarake siriane po “nxjerrin nga strofka ku janë fshehur” si armiqtë e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm. Një vetëmjaftueshmëri e furnizimit me ushqim e energji, si dhe frika që ndjen shtresa e mesme siriane “rritur nën përkujdesjen e regjimit” se mos përsëriten gjakderdhjet e përçarjet e Irakut, kanë ndihmuar qeverinë siriane të mbahet ende në këmbë. Tashmë vëzhguesit që gjenden brenda truallit sirian mendojnë se e kanë gjetur shtysën se si trysnia nga jashtë do të përshpejtonte zhvillimet nga brenda. Nuk janë sjelljet mizore të forcave siriane të sigurisë ato që “i ndezin fitilin” mendjes së sirianëve, por bindja që po gjen gjithnjë e më shumë shtrirje se regjimi sirian po perëndon. Premtimet për reforma nuk ua mbushin më mendjen protestuesve në rrugë. Pëshpërimat për braktisje të njerëzve të afërt të regjimit, siç ishte për shembull zëvendësimi i pakuptimtë i ministrit të brendshëm të regjimit, ushqejnë pandehmat se regjimi po plasaritet në bërthamën e tij. Pavarësisht disa të dhënave për raste të izoluara hakmarrjesh të protestuesve ndaj forcave të sigurisë së regjimit, opozita e ka vënë më shumë theksin te mënyra paqësore e protestës, duke zhvlerësuar deklaratat qeveritare për motivet përçarëse të vendit. Mizoria e kundërpërgjigjes së regjimit ndaj protestave, u ka shtuar bindjen protestuesve se “Lëvizja” duhet të vazhdojë pa ndërprerje, se në të kundërt, ashtu siç ka paralajmëruar edhe një nga protestuesit në Damask, “do të përballet me një hakmarrje të përmasave që nuk t’i rrek mendja”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›