E Diel, 1 Nëntor 2026

Terapia me letra-editoriale i qetëson Edvinit shpirtin e trazuar nga zilia

24-08-2011 / Redaksionale

Problemi më i madh që po e bren në shpirt publicistin Edi Rama është kryeministri Sali Berisha. Këtë problem të kahershëm me kryeministrin ai e ka shfaqur kudo dhe kurdo, madje edhe kur është me pushime. Të gjithë njerëzit shkojnë me pushime për t’u larguar sadopak nga rutina e zakonshme e punës, dhe për t’u larguar nga lodhja e mërzitshme. Kurse kreu i opozitës, edhe pse shullëhet në një shezlong të një hoteli privat është në rutinën e akuzave me letra të hapura ndaj kryeministrit Berisha, që për të është një njeri i rëndomtë, aq sa e varfëron fjalorin me nofkën “Saliu”.
Mirëpo kryetari i Partisë Socialiste duhet të kuptojë, që politikani dhe intelektuali Sali Berisha është mbi të gjitha kryeministër i Republikës së Shqipërisë, prandaj është padashje edhe kryeministri i tij. Dhe derisa qytetarët do ta votojnë me shumicë, siç u pa edhe në zgjedhjet e 8 majit ku koalicioni i drejtuar prej Sali Berishës fitoi 140 mijë vota më shumë sesa koalicioni i drejtuar nga zoti Rama, afërmendsh ky i fundit do të shikojë për hall të tij, kryeministër Sali Berishën. Ky është parimi i demokracisë: njeriu më i votuar drejton vendin.
Sakaq Sali Berisha si kryeministër i një vendi të NATO-s, me patjetër ka të gjithë drejtën e perëndisë dhe lejen e lirisë të përshëndesë operacionet e drejtuara nga komanda e Aleancës Veri-Atlantike, përderisa anëtarësimi në këtë Super-strukturë të demokracisë dhe të lirisë ka qenë kryesisht për meritë të qeverisjes së tij. Zilia e Ramës shfaqet si hije e pakuptueshme për njerëzit që dashurojnë lirinë, dhe Sali Berisha e ka dëftyer me vijë-sjelljen politike se është një kampion i demokracisë.
Megjithëse Rama ruhet fort në letrën e fundit drejtuar redaksive mediatike, që të thotë se “s`ka dyshim që Shqipëria s`është Libia, as Saliu s`është Kadafi”, se ka një hall tjetër. Por gjurmën e së kaluarës nuk mund të fshihet, sepse këtë konstatim e kish thënë edhe Gramoz Ruçi me datë 24 shkurt kur Partia Socialiste tentoi të bashkonte betejat për lirinë në Afrikën Veriore me ngjarjet e pas 21 janarit me silogjizmin komunist “Shqipëria nuk është Libi, por ka një udhëheqës si Gadafi”.
Mirëpo kjo tentativë atëherë u shua shumë shpejt, ngase SHBA-ja reagoi fort me Zëvendës/ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, i cili tha se “Shqipëria është një demokraci funksionale”. “Ajo nuk do të ishte në NATO, në të kundërt. Krahasimi i Shqipërisë me Egjiptin, Tunizinë e Libinë është një fyerje për popullin shqiptarë dhe progresin e bërë prej tyre në 20 vitet e fundit. Nuk është një vend i përkryer, por, është demokraci”.
Sidoqoftë problemi personal që ka Rama me kryeministrin Berisha është për motive krejt të dobëta, edhe pse njerëzore. Një njeri që dëshiron aq patologjikisht për t’u bërë kryeministër i vendit jashtë radhës së gjërave, jo me votë popullore, por me revolta popullore ka të gjitha arsyet e nëntokës të shkruajë letra të hapura, edhe kur është gjoja me pushime. Shfryrja e vrerit e qetëson shpirtin e trazuar nga zilia. Terapia me letra të hapura drejtuar kombit është një zhanër i lëruar më parë edhe nga diktatori Hoxha, po ashtu Mao Ce Duni.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›