E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetja që pret përgjigjen

Duke vazhduar ende komentet rreth përmbajtjes së Raportit të OSBE–ODIHR-it mbi zgjedhjet e fundit të organeve
të qeverisjes vendore në Shqipëri, si edhe tjerrjet e panevojshme për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në riformulimet e Kodit Zgjedhor, subjektet politike dhe disa nga mediat lokale duket që për njëfarë kohe dhe në njëfarë mase kërkojnë të shmangin apo të anashkalojnë shtrimin e një pyetjeje të dyfishtë dhe interesante për tërë spektrin shqiptar: A do t'i ofrohet sivjet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian, apo do të duhet të pritet së paku edhe një vit tjetër për të marrë përgjigje pozitive nga Brukseli?
Shtrimi i kësaj pyetjeje vlen të bëhet pikërisht tani, në kohën e duhur, pas mbarimit të të gjithë procesit zgjedhor dhe publikimit të Raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, i cili mbushi dhe dokumentoi një skedar kompletues mbi kushtet e krijuara realisht të mangëta për zgjedhje të lira e të ndershme dhe, në këtë kuadër, për domosdoshmërinë e paanësisë në administrimin elektoral dhe integritetit të shqyrtimit të ankimeve në shkallën e fundme gjyqësore. Ndërkohë, rekomandimet e dhëna në mbyllje të këtij raporti, sigurisht që kërkojnë tek e mbramja jetësim legjislativ sa më të shpejtë, çka në një vështrim më të gjerë do të mund të arrihej që të bëhej për Shqipërinë përvijimi i përmasave të reja dhe më të plota të dimensionit njerëzor, si pjesë integrale e qasjes së balancuar për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europë. Prandaj ishte e arsyeshme që deri përpara disa javësh, me gjithë rezervat e shfaqura për shmangien nga kuadri ligjor dhe praktikat ekzistuese, sidomos gjatë fazës së numërimit të votave në Tiranë, Brukseli të deklaronte se do të priste përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, për të përcaktuar qëndrimet e tij në hartimin e Progres-Raportit të vet për Shqipërinë, i cili pritet të publikohet më 12 tetor dhe të përbëjë pa dyshim bazën e pozicionimit të mëtejshëm të Komisionit Europian për ofrimin Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE qysh në nëntor të këtij viti, apo në vitet e tjera pasuese.
Pra, nuk ka më asnjë dyshim që është humbje kohe dhe nuk mund të sigurohet fashitim i tensioneve politike po të vazhdojnë në këtë klimë të nxehtë mesdhetaro-shqiptare akoma më tej debatet dhe dilemat, nëse Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit konstatoi, se këto ishin kompetitive dhe transparente, kur pikërisht këto dy cilësi krijuan mundësinë e kujtdo për të vëzhguar e vërtetuar menjëherë, hapur e qartë grabitjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, se u vu re apo jo arritje e standardeve demokratike përkatëse, kur dihet që standardet ndërkombëtare nuk janë të ndara në të përgjithshme apo të pjesshme, në të larta apo të ulëta, në të forta apo të dobëta, por vërehen nën një kalk të vetëm, që po nuk ekzistoi hidhet vështrimi te përpjekjet intensive të mundshme në këtë drejtim brenda një të ardhmeje të afërt. Në këtë kuptim, nuk ka pse të lexohen njëanshmërisht konstatimet e Misionit të ODIHR-it, kur tashmë është e qartë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, se në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve theu ligjet, se Kolegji Zgjedhor nuk u tregua serioz, duke dhënë vendime me dykuptimësi, se Kodi Zgjedhor kërkon domosdoshmërisht ndryshime dhe plotësime, se me çeljen e sesionit të dytë parlamentar të këtij viti forcat politike përfaqësuese duhet të fillojnë dialogun dhe se nga ky dialog të mundësohet që të fitohet sa më shumë kohë e humbur për të hartuar reformat e kërkuara, fillimisht dhe sa më shpejt atë elektorale, pa shmangur ndryshimet e domosdoshme kushtetuese.
Por, a do të mjaftonte vetëm një muaj kohë që nga nisja e këtij dialogu parlamentar për t'i mbushur mendjen Brukselit që të ndryshojë pozicionin e tij deri në publikimin e Progres-Raportit të vet për Shqipërinë? Pa dashur të hidhet një vello e trashë mbi nevojën e përpjekjeve intensive të vlefshme, nëpërmjet një agjende të ngjeshur në Kuvendin e Shqipërisë, mbase nuk do të ishte tashmë guxim i tepruar të thuhet që Komisioni Europian, pavarësisht shtimit kohët e fundit të vëmendjes së tij për shtetet e Ballkanit, në kushtet e krijuara nuk mund t'i çelë derën anëtarësimit pa përkatësi një shteti që ende nuk ka mundur të maturohet më së paku me zgjedhje të lira e të ndershme. Përkundrazi, afatgjatësisht edhe ajo që thirret si "demokraci sipërfaqësore", me të cilën epitetohet atmosfera e një vendi ku njerëzit shprehin lirisht të drejtën e votës në ditën e zgjedhjeve dhe zgjedhin organet e qeverisjes, s'ka sesi të mbijetojë nëse nuk zë rrënjë e ashtuquajtura "demokraci e thelluar". Prej kohësh është krijuar bindja që me këto rrënjë konceptohet për çdo vend instalimi i një demokracie legjitime, kryerja e reformave institucionale dhe vendosja e një drejtësie sociale, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, transparenca e veprimtarisë së administratën publike dhe në dobi të një sistemi gjyqësor krejtësisht të pavarur. Sepse dihet që Bashkimi Europian nuk orientohet vetëm kah kapitali, por është krijuar dhe zgjerohet si një komunitet vlerash të gjithanshme. Sepse, sigurisht që vet Bashkimi Europian ka lindur nga hiri i konflikteve, çka u sjell në kujtesë edhe tani qytetarëve të tij, sesa e tmerrshme është jeta, kur mungon demokracia. Sepse, pa dyshim, tërë veprimtaria e Bashkimit Europian nuk synon t'u shmanget dëshmive që dëftejnë, se demokracia është gurthemeli i nevojshëm për përparimin njerëzor.
Një konceptim i tillë ka shoqëruar edhe takimet e zhvilluara në Bruksel për vlerësimin e hapave të hedhura gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Një konceptim i tillë shpuri nëntorin e kaluar te përcaktimi vetëm në sferën politike të 12 kritereve, përmbushja e të cilave do të përkonte me konsiderimin nga Brukseli të dhënies Shqipërisë të statusit zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Dhe, të mos harrojmë që në krye të kësaj liste kriteresh qëndronte zhvillimi i suksesshëm, pas veçse gjashtë muajsh, i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke ua spostuar këtyre apostrofin politik që kanë zakonisht votimet për organet e qeverisjes vendore te një theks i fortë, aq sa nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht ai europian, njëzëri u konsideruan si test i rëndësishëm për të përcaktuar vijimësinë e kryerjes së reformave të gjithanshme, që janë të domosdoshme për kapërcimin prej Shqipërisë të një gjendjeje krize komplekse dhe të hapjes përpara saj të një perspektive sa më të shpejtë kontinentale. Është fakt i njohur që parashikimet e marrëveshjeve të ndryshme me Bashkimin Europian tregojnë pranueshmërinë nga ana e shteteve anëtare, por edhe e atyre aspirante, që të drejtat civile dhe politike të mbeten çështje në nivel mbikombëtar. Dhe, në këtë drejtim, neni F/2 i Traktatit përmban referencë eksplicite te Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, neni 3 i Protokollit Shtesë Nr. 1 i së cilës parashtron qartë detyrimin pozitiv për Shtetin, që ky të sigurojë të gjitha kushtet për shprehjen e lirë të mendimit të popullit në zgjedhjen e trupit ligjvënës. Që këtej tingëllon ende plotësisht i arsyeshëm, korrekt dhe i ligjshëm paralajmërimi publik që i bëhej në fillimet dramatike të këtij viti në Tiranë kryeministrit shqiptar nga i dërguari special i Komisionit Europian, se për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit përgjegjësia më së pari dhe më së tepërmi do të kërkohej te qeveria. Ndërsa tani, pas emetimit të Raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, ndonjë gazetë që prej kohësh dihet se ka përqafuar rolin e mbështetësit fanatik të Sali Berishës, me gërma të mëdha dhe të zeza në krye të faqes së parë të një prej numrave të veta të fundit njofton, si për të parathënë rrëzimin apo thyerjen e vektorit të kabinetit tonë qeveritar për arritjen e objektivit të dëshiruar, se kreu i opozitës i frykërka Brukselit në vesh që të mos i akordohet së shpejti ky status Shqipërisë(?!).
Do të ishte e panevojshme, madje e bezdisshme t'i kujtoheshin opinionit tonë publik edhe broçkulla të tjera, që pavarësisht ca deklaratave demagogjike tregojnë realisht as më shumë e as më pak mungesë të një vullneti të vërtetë politik, për të ndryshuar stilin e qeverisjes dhe të dialogut të maxhorancës parlamentare me forcat e tjera të mbështetura faktikisht prej një elektorati gjerësisht shprehës. Nëse ditëve që pasojnë do të bëhet e mundur të tangojnë më së miri ose jo forcat politike, kjo është vështirë të pohohet sot me plot gojën. Por, sidoqoftë, asnjëherë nuk mund të dyshohet që edhe përvojat e hidhura ndonjëherë duhet të bëhen të dobishme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›