Fakti/Rama, aleancë edhe me djallin për të fituar pushtet

Partia Socialiste ndjehet e pasigurt përballë zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kryetar i PS, Edi Rama ka deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësin në rrjetin social “tuiter” se çdo votë është e vlefshme dhe ka ftuar të gjitha partitë që me llafe kanë dalë kundër Berishës. E sigurt është se Edi Ramës nuk i intereson as morali e as votuesi, por vota, që sipas tij, nuk duhet të shkojë dëm. Ai ka nevojë edhe për votën e Kosta Bajrabës dhe katër partive komuniste nostalgjike të Enver Hoxhës në koalicion me të për të fituar zgjedhjet dhe hequr etiketimin si humbës të njëpasnjëshëm. Për të marrë pushtetin është gati të bashkohet me çdo qenie njerëzore, hajdut, apo kriminel, shqiptar apo antishqiptar,moral apo imoral. Për këtë arsye ai ka bërë bashkë 26 parti dhe fton parti-shtojca të tjera, që kanë interesa nga më të ndryshmet dhe vlera të kundërta me PS, por që bashkë i bën veç urrejtja ndaj kryeministrit Berisha. Antiberishizmi i Ramës bën bashkë 4 parti komuniste me Kurt Kolën, po ashtu bën bashkë Spartak Ngjelën dhe Ilirian Celibashin, të cilin Ngjela e ka akuzuar për manipulim të zgjedhjeve në 2003, kur kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Edi Rama sulmon qeverinë për vrasësin e ish-komisarit Lamaj, ndërsa ka në koalicion partinë që do të kandidonte të dyshuarin për vrasje Frroku në Shkodër, madje, sipas deklaratës zyrtare të ministrisë së Brendshme, kreu i PS Edi Rama e kishte takuar për t’i ofruar kandidimin. Kësisoj, vihet re një zqërlaqe morale të opozitës përballë zgjedhjeve të 23 qershorit, ku për motive elektorale janë të gatshëm të bëhen bashkë hajdutë dhe të ndershëm, të varfër dhe biznesmenë, komunistë dhe antikomunistë, sharlatanë dhe gazetarë, intelektualë dhe populistë të dorës së parë. Edi Rama kërkon të mangenizojë të gjitha votat e mundshme pasi është bosh. Edi Rama nuk ka një projekt politik ose një projekt kulturor, nuk ka një strategji politike a vizion, nuk ka një hapësirë politike të përkufizuar, pasi ai duket se është përtej realitetit. Rama mund të magnetizojë afër vetes të gjithë ato persona me përbërje alumini, të frustruar nga mospërmbushja e pritshmërisë personale, karriera të paplotësuara apo disidenca politike, sepse është vetëofruar si një medium i ftohtë, pa ngjyrë e pa shije. Nëse i hidhni një sy nga afër asaj që quhet “Opozita e Bashkuar” do të shikoni njerëzit me përbërjen molekulare dhe motivet më të ndryshme aksiologjike (vlerore) sepse i janë bashkuar paradës opozitare, kësaj bande politike që propozon veç anakronizma atavike. Rama është si Tufina ose një kolektor i të gjithë të këqijave të shumicës, të atyre që kanë frikë nga pensionimi politik për shkak të moshës apo të atyre që disiplinën e shikojnë si një diktaturë formaliste. Për më shumë, duke qenë një xhep me astar a-politik, ai është aq i gjerë sa mund të mbajë brenda komunistë, renegatë të djathtë, social-demokratë, jakobinë, spartakë, arrivistë, etj. Boshllëku i tij është sot një burim i rëndësishëm fitimi. Rama po shfaqet si një qefin i mirë për të mbështjellë të majtën shqiptare, si qendër dhe formë e anti-berishizmit, meqenëse s’ka asnjë ide të tijën, por duke qenë një pacient që ka viruset e idetë e të tjerëve, ai është aleat i kujtdo. Mjaft që të realizojë synimin e marrjes së pushtetit.